“Rama në burg, Berisha në burg!”- Dita e 9-të e protestës, mijëra qytetarë mblidhen në Tiranë: Revolucion dhe dorëheqje, ju erdhi fundi!

Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sot (8 qershor) në ditën e 9-të të protestës paqësore në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen pas skandalit me projektin e Zvërnecit.

Ashtu siç ishte paralajmëruar ka nisur edhe organizimi në sheshin “Skënderbej” i qytetarëve.

Mijëra qytetarë prej disa ditësh kanë mbushur sheshin, rrugët e kryeqytetit, me thirrjet e tyre “Edi Rama dorëhiqu”, “Shqipëri e Re”, “Rama në burg, berisha në burg”, “Atdheu nuk shitet”, “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.

“Poshtë komunizmi”, “Ju erdhi fundi”, janë thirrjet e tjera të qytetarëve, sikurse edhe “Hajdut”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” apo “Kryeministri te 313-ta”.

Të rinj, të reja, fëmijë, të moshuar, janë bërë bashkë në këtë protestë dhe në këtë kauzë e cila duket se nuk ndalet

Me flamuj kuq e zi, pankarta në duar, disa prej tyre me plis në kokë, marshojnë kundër keqqeverisjes Rama.

Ajo çfarë bie në sy është pankarta në të cilën shkruhet “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”.

Organizatorët u shprehën se protesta nuk është as antiamerikane dhe as antievropiane, por bëhet për drejtësi dhe ligj, kundër zaptimit të pronave të kombit.

Gjithashtu këshilluan pjesëmarrësit që t’i rrinin larg provokimeve dhe thanë se kjo është qytetari, teksa u nisën rreth orës 18:30 drejt bulevardit dhe Kryeministrisë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo