Për vite me radhë, politika e papërgjegjshme e ka lënë këtë plagë të hapur në zemër të qytetit tonë. Pasojat i paguajnë qytetarët çdo ditë me ajër të ndotur, rrezik për shëndetin dhe një imazh që nuk i ngjan aspak Strugës që meritojmë.
Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se kjo sfidë kërkon veprim urgjent.
Unë e kam thënë qartë: këtë problem nuk mund ta zgjidhë një njeri i vetëm, por do të jap maksimumin tim që Struga të ketë më në fund një zgjidhje të qëndrueshme dhe evropiane për menaxhimin e mbeturinave.
Dua të shpreh mirënjohjen time për ambasadorin e BE-së dhe ambasadoren e Gjermanisë për vëmendjen që i kushtojnë shqetësimeve të qytetarëve të Strugës dhe për mbështetjen e vazhdueshme në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë problem.
Falënderoj gjithashtu sektorin civil, i cili me këmbëngulje e mban gjallë debatin publik për çështje kaq të rëndësishme. Ju inkurajoj të vazhdoni të jeni aktivë dhe kritikë, sepse ndryshimet e mëdha vijnë kur qytetarët e ngritin zërin dhe kërkojnë llogari.
Mbi të gjitha e përshëndes iniciativën e @zdruzenieakva për organizimin e debatit publik “Nga një deponi e egër drejt një zgjidhjeje evropiane – zgjidhje për Strugën”.
Struga meriton ajër të pastër, mjedis të shëndetshëm dhe zgjidhje evropiane. Kjo betejë nuk është e një individi apo e një institucioni të vetëm, është përgjegjësi e të gjithëve ne.