Qeveria e RMV-së miratoi vënien në funksion të sistemit “One Stop Shop” me Shqipërinë





Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vënien në funksion të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” me Republikën e Shqipërisë.

Zëdhënësja e Qeverisë Venera Azizi, tha se me këtë përmbyllet procesi i vendosjes së këtij sistemi me tri shtetet fqinje të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nuk janë pjesë e zonës Shengen, duke pasur parasysh se ai tashmë funksionon me Serbinë dhe Kosovën. Për finalizimin e plotë të procesit mbetet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet dy ministrive të punëve të brendshme.

“Zbatimi i sistemit fillimisht do të nisë në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërsa më pas do të zgjerohet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë. Kjo do të mundësojë kalim më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të sigurt të kufirit shtetëror, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm frekuenca e udhëtarëve dhe kur në të kaluarën qytetarët shpesh kanë ngritur shqetësime për pritjet e gjata në pikat kufitare”.

“Nevoja për një zgjidhje të tillë konfirmohet më së miri nga frekuenca e lartë e udhëtarëve në pikat kufitare me Republikën e Shqipërisë”, tha zëdhënësja.

Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar gjithsej 4.581.724 udhëtarë, prej të cilëve 2.318.080 vetëm në pikën kufitare Qafë Thanë.

Ajo gjithashtu theksoi se këto shifra e theksojnë rëndësinë e vendosjes së sistemit “One Stop Shop”, i cili do të mundësojë qarkullim më të shpejtë dhe më efikas të udhëtarëve, si dhe do të kontribuojë në uljen e kohës së pritjes në kufi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo