Publikimi i videos së arratisjes së shqiptarit Edmond Tafa nga burgu i sigurisë së lartë në Korydallos ka vënë në alarm autoritetet greke, ndërsa dy oficerë burgu janë arrestuar dhe operacioni për kapjen e 48-vjeçarit vijon në disa zona të Atikës.
Janë publikuar pamjet e momentit kur 48-vjeçari shqiptar Edmond Tafa arratiset nga burgu i sigurisë së lartë në Korydallos, një ngjarje që ka vënë në alarm autoritetet greke dhe ka çuar në arrestimin e dy punonjësve të burgut.
Videoja e siguruar dhe e transmetuar nga televizioni grek SKAI tregon të burgosurin duke vrapuar me shpejtësi për t’u larguar nga zona e paraburgimit, ndërsa dy oficerë burgu e ndjekin disa metra pas, pa arritur ta ndalojnë.
Sipas autoriteteve greke, arratisja ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:30, gjatë procesit të shpërndarjes së ushqimit në burg. 48-vjeçari shqiptar punonte në Depon Qendrore të Materialeve të Burgut dhe ishte pjesë e një grupi që merrej me transportin e bukës brenda institucionit.
Hetimet paraprake tregojnë se ai ka shfrytëzuar momentin e lëvizjes së personelit dhe procedurave të furnizimit për t’u larguar nga ambientet e burgut.
Sipas Policisë Helenike, shqiptari po vuante një dënim për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës. Megjithatë, ai konsiderohej një i burgosur me sjellje të mirë dhe në të kaluarën ishte vlerësuar si i përshtatshëm për të përfituar leje të rregullta.
Gjatë gjashtë muajve të fundit ai kishte marrë tre leje daljeje, të cilat i kishte respektuar plotësisht, duke u kthyer çdo herë në kohë për të vijuar vuajtjen e dënimit.
Mediat greke raportojnë se 48-vjeçari ishte transferuar në burgun e Korydallos nga institucioni penitenciar i Korfuzit, ku mbahej më herët.
Pas arratisjes, Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Pire ka arrestuar dy oficerë burgu, të cilët akuzohen për veprën penale të lirimit të një të burgosuri. Paralelisht, ndaj tyre ka nisur edhe procedura disiplinore.
Ndërkohë, operacioni për kapjen e të arratisurit vijon në disa zona të Atikës, ndërsa autoritetet po hetojnë të gjitha rrethanat që mundësuan largimin e tij nga një prej burgjeve më të sigurta të Greqisë.
Emri i Edmond Tafës është përmendur edhe në dosje të vjetra hetimore në Shqipëri që lidhen me konfliktin mes familjeve Tafa dhe Mamli në Mamurras. Sipas materialeve hetimore të cituara nga mediat, konflikti kishte nisur vite më parë në Suedi (sipas disa raportimeve edhe në Itali) pas një përplasjeje fizike mes Edmond Tafës dhe vëllezërve Mamli, përpara se të përshkallëzohej në Shqipëri.