Protestojnë rreth 50 punonjës të Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve: Gjashtë muaj pa rroga dhe pa kontrata





Rreth 50 punonjës të Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë, të pakënaqur nga fakti se tashmë gjashtë muaj janë duke punuar pa marrë rrogë dhe se ende nuk u janë vazhduar kontratat e punës.

​Ata shprehen se, përkundër reagimeve të shumta drejtuar institucioneve kompetente dhe premtimeve se do të bëhen përpjekje për zgjidhjen e problemit, statusi i tyre mbetet ende i pazgjidhur. Punonjësit presin një takim me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe një zgjidhje urgjente për angazhimin e tyre profesional.

​”Kemi punuar gjashtë muaj pa marrë asnjë përgjigje. Përgjigjja nga Ministria e Financave na mbërriti vetëm në prill, ndërsa ne gjatë atyre muajve kemi punuar me nder dhe i kemi shërbyer Klinikës dhe fëmijëve. Para dy-tre ditësh ministri deklaroi se kemi qenë vullnetarë, ndërsa ne nuk kemi asnjë dokument të vetëm që dëshmon se kemi punuar si vullnetarë”, deklaroi Sedat Bushi, një nga punonjësit.
​Ai vuri në dukje se dokumentacioni për vazhdimin e kontratave ishte dorëzuar që në muajin dhjetor dhe u referohet të njëjtëve personave që kanë punuar edhe gjatë viteve të kaluara.

​”Nuk ka mundësi që deri në dhjetor të vitit 2025 të kemi qenë të punësuar dhe të kemi marrë rrogë, ndërsa nga janari të jemi vullnetarë. Kjo nuk ka asnjë logjikë. Javën e kaluar ishim në Ministrinë e Financave, ku na thanë se procedura do të fillojë nga fillimi”, tha Bushi.

​Punonjësit paralajmërojnë se kjo pasiguri e tyre ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e Klinikës dhe kërkojnë që institucionet kompetente të gjejnë një zgjidhje për këtë problem sa më shpejt të jetë e mundur.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo