Pollogu me ulje të lehtë të aksidenteve

Si lokacione kritike në zonën urbane të Tetovës policia veçon bulevardet “Marshall Tito”, “Ilindenit”, “Vidoe Smilevski Bato” dhe rruga “Blagoja Toska”, ndërsa në rrugë të hapur janë autostrada Tetovë-Shkup

Urim HASIPI

Tetovë, 8 qershor – Në rajonin e Pollogut shënohet një rënie e lehtë e aksidenteve të trafikut krahasuar me vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare statistikore, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, në zonën e SPB Tetovë është regjistruar një ulje prej 3 për qind e numrit të aksidenteve rrugore në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur gjithsej 240 aksidente rrugore, prej të cilave 168 në zonën e Tetovës dhe 72 në zonën e Gostivarit. Në tremujorin e parë të vitit 2025 ishin regjistruar 247 aksidente. “Nga numri i përgjithshëm, 125 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale, ndërsa 114 aksidente kanë rezultuar me persona të lënduar lehtë ose rëndë. Janë regjistruar gjithashtu edhe dy aksidente rrugore me pasoja fatale, ku në zonën e Gostivarit kanë humbur jetën dy persona, gjë që është identike me bilancin e tre muajve të parë të vitit të kaluar”, deklaroi për gazetën Koha zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Ndërkaq, gjatë vitit 2025, në territorin që mbulon SPB Tetovë kanë ndodhur gjithsej 1.380 aksidente rrugore. Prej tyre, 841 janë regjistruar në zonën e Tetovës, ndërsa 539 në zonën e Gostivarit. “Këto aksidente kanë shkaktuar një dëm të përgjithshëm material prej 85.759.800 denarësh, prej të cilëve mbi 48 milionë denarë në Tetovë dhe rreth 37 milionë denarë në Gostivar. Si shkaqe kryesore të aksidenteve gjatë vitit 2025 veçohen shpejtësia e madhe me 448 raste, kryerja e parregullt e veprimeve në rrugë me 307 raste, mosrespektimi i përparësisë së kalimit me 184 raste, si dhe mosmbajtja e anës dhe drejtimit të lëvizjes dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit”, informoi Rexhepi.

Sipas tij, pjesa më e madhe e aksidenteve në vendbanime ndodhin gjatë ditëve të javës, kryesisht nga e mërkura deri të premten, në intervalin kohor nga ora 14:00 deri në orën 18:00, kur frekuenca e automjeteve është më e lartë. “Shkaku kryesor në këtë periudhë kritike mbetet shpejtësia e papërshtatshme ndaj kushteve të rrugës”, theksoi zëdhënësi i SPB Tetovë.

Nga policia bëjnë të ditur se gjatë vitit 2025 në aksidente trafiku kanë pësuar gjithsej 1.090 persona. “Gjithsej 107 persona kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa 969 persona kanë pësuar lëndime të lehta. Sipas strukturës së viktimave, më të prekurit janë shoferët dhe bashkëudhëtarët. Gjithashtu janë regjistruar 12 aksidente me pasoja vdekjeprurëse, ku jetën e kanë humbur 14 persona, prej të cilëve shtatë në zonën e Tetovës dhe shtatë në zonën e Gostivarit”, sqaroi më tej Fatmir Rexhepi.

Ndërkohë, si lokacione kritike në zonën urbane të Tetovës policia veçon bulevardet “Marshall Tito”, “Ilindeni”, “Vidoe Smilevski Bato” dhe rrugën “Bllagoja Toska”. Në rrugët e hapura, si pika problematike evidentohen autostrada Tetovë-Shkup, veçanërisht nyja e kyçjes Veri, rruga rajonale drejt fshatit Jazhincë me theks të veçantë në segmentet pranë fshatrave Dobrosht dhe Poroj, si dhe aksi rrugor drejt Zhelinës dhe nyja e kyçjes pranë fshatit Kamjan.

Në zonën e Gostivarit, si rrugë më të rrezikshme janë evidentuar “Beliçica”, “Vëllezërit Gjinovski”, “Zhivko Brajkovski” dhe “Ilindeni”, ndërsa në rrugët e hapura problematike mbeten rruga magjistrale Gostivar-Kërçovë përmes Strazhës, rruga rajonale Hanet e Mavrovës-Dibër pranë Urës së Skudrinjës, rruga lokale drejt fshatit Koritë, si dhe rrugët që lidhin Gostivarin me fshatrat Dobërdoll, Sërmnovë, Llakavicë dhe Bellovishtë. (koha.mk

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo