Një vendim fatal i plakut nga Maqedonia: Nuk kërkoi mjek dhe humbi jetën dy ditë pas aksidentit me traktor
Një 71-vjeçar nga fshati Dragobrasht i Vinicës ka ndërruar jetë dy ditë pasi kishte pësuar një aksident me traktor dhe ishte kthyer në shtëpi pa kërkuar ndihmë mjekësore.
Rasti është raportuar më 8 qershor në Stacionin Policor të Vinicës, pasi një mjek nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore njoftoi se tek ata ishte sjellë V.A. (71), i cili u kishte nënshtruar plagëve pavarësisht përpjekjeve për reanimim.
Sipas informacioneve fillestare, aksidenti ka ndodhur më 6 qershor në orët e mbrëmjes në një rrugë lokale në fshatin Dragobrasht. Teksa drejtonte traktorin, V.A. kishte dalë nga rruga, por pas aksidentit ishte kthyer në shtëpinë e tij pa kërkuar ndihmë mjekësore, njofton TS.
Dy ditë më vonë, rreth orës 09:00 të mëngjesit, djali i tij e kishte dërguar në spitalin e Vinicës për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Nga aty ishte dërguar në spitalin e Koçanit, por gjendja e tij ishte përkeqësuar shpejt.
Ekipi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore tentoi ta reanimonte, por mjekët vetëm konstatuan vdekjen.
Me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Koçanit, ekipet e SPB Vinicë kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.