Shkup, 13 qershor – Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski ka njoftuar se ka filluar ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, një projekt që sipas tij do të shërbejë si një arterie kryesore për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën dhe rajonin.
Në një takim pune me drejtorin e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Fatih Türkmenoğlu, është diskutuar realizimi i projektit të autostradës Shkup–Bllacë. Sipas Nikollovskit, punimet do t’i realizojë një konzorcium i udhëhequr nga kompania vendore “Granit”, duke theksuar se një kompani maqedonase për herë të parë pas një kohe të gjatë po merr pjesë si bartëse e një projekti të tillë madhor infrastrukturor.
Autostrada Shkup–Bllacë, sipas tij, do të përmirësojë lidhjen me Kosovën dhe Malin e Zi, do të rrisë sigurinë në trafik dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime në rajon.
Projekti parashikon ndërtimin e 5 tuneleve, 2 galerive dhe 12 urave, ndërsa gjithsej rreth 40 objekte infrastrukturore do të realizohen në terren.