Mickoski për jurisprudencën: Mënyrën e dhënies së provimit e rregullon ministri, Fillkov është pjesë e zgjidhjes

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi për Alsat se ligji aktual nuk e rregullon drejtpërdrejt mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës, por ia lë në kompetencë ministrit të Drejtësisë që këtë çështje ta përcaktojë me një akt tjetër juridik.

I pyetur nëse mungesa e provimit në gjuhën shqipe lidhet me mungesën e bazës ligjore apo me vullnetin e ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, Mickoski tha se në të kaluarën ministrat shqiptarë të drejtësisë nga radhët e BDI-së nuk kanë treguar interes për ta zgjidhur këtë çështje, ndërsa sipas tij Qeveria aktuale po punon për të gjetur një zgjidhje. Ai theksoi se ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, është pjesë e përpjekjeve për tejkalimin e këtij problemi.

Sa i përket studentëve që po protestojnë, Mickoski tha se edhe studentët do të kenë mundësi të marrin pjesë në këtë debat dhe të japin kontributin e tyre në procesin e hartimit të zgjidhjes.

“Ligji aktual, në formën që është tani, nuk e rregullon mënyrën e zhvillimit të provimit, por i lë të drejtën ministrit të Drejtësisë që, me një akt tjetër juridik, ta rregullojë mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës,” tha Kryeministri Hristijan Mickoski.

“Pra, për momentin ministri Filkov nuk dëshiron që provimi të jetë në gjuhën shqipe, jo se nuk ka bazë ligjore?”

Unë më tepër do të thosha se në vitet e kaluara ministrat shqiptarë nga radhët e BDI-së nuk kanë dashur ta bëjnë këtë, ndërsa kjo qeveri ka vullnet dhe po punon për të gjetur një mënyrë që kjo çështje ose problem të tejkalohet. Kështu që situata është ndryshe, dhe ministri Filkov është pjesë e kësaj qeverie që po kërkon zgjidhje, tha Kryeministri Hristijan Mickoski.

A është konsultuar kjo zgjidhje me studentët që po protestojnë, apo ata nuk janë pjesë e grupit punues?

Ajo që ne po bëjmë aktualisht është në kuadër të qeverisë. Natyrisht që do të ketë debat publik. Edhe këto ditë pati debat publik për ligjin për përfaqësim të drejtë. Prandaj, çdo zgjidhje ligjore i nënshtrohet debatit publik. Brenda atij debati publik, sigurisht që edhe studentët që po protestojnë do të marrin pjesë dhe janë të mirëpritur që të japin kontributin e tyre, tha Kryeministri Hristijan Mickoski.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo