Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar se vendi përballet me një problem serioz demografik, duke theksuar se në dy dekadat e ardhshme shtetit mund t’i mungojnë nga 150 deri në 250 mijë banorë aktivë në tregun e punës informon Tetovasot.
Në podkastin „Kade se parite“ me Goran Temenugov, Mickoski tha se migrimi i të rinjve drejt vendeve të Evropës Perëndimore po krijon boshllëqe të mëdha në ekonominë vendase, të cilat në të ardhmen mund të plotësohen nga fuqi punëtore që vjen nga vende të treta.
“Për 15, 20 apo 25 vjet do të ndryshojë tërësisht fotografia demografike e Maqedonisë. Vlerësoj se do të na mungojnë nga 150 deri në 250 mijë njerëz. Nëse Evropa ka problem me demografinë, dhe ka madje më të madh se ne, atëherë një pjesë e potencialit tonë njerëzor largohet atje dhe krijon hapësirë bosh këtu”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se zhvillimi ekonomik i vendit do të varet nga aftësia për të mbajtur të rinjtë në vend dhe për të krijuar kushte që ata të kontribuojnë në ekonominë vendase.
Kryeministri tha se çështja e familjes dhe demografisë shpesh keqkuptohet ose ironizohet në opinion, por sipas tij, bëhet fjalë për një nga temat më të rëndësishme për të ardhmen e shtetit.
“Kur drejton një shtet, duhet të mendosh se çfarë do të ndodhë pas 50, 75 apo 100 vitesh. Nëse nuk mendon në afat të gjatë, atëherë nuk duhet të merresh me këtë punë”, u shpreh Mickoski.
Sipas tij, analizat strategjike dhe politikat afatgjata janë thelbësore për të shmangur pasojat e krizës demografike dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në dekadat që vijnë.TS