Mexhiti: Shqiptarët po përfaqësohen me përgjegjësi

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti në Kuvendin themelues të partisë ka përmendur projektet kyçe të realizura gjatë këtij mandati dyvjeçar nga ana e VLEN-it si pjesëmarrëse në qeveri. Ai tha se mbi 40 milionë euro po investohen në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, një investim në dije, në rininë tonë dhe në të ardhmen e brezave që vijnë.

“Rreth 20 milionë euro po investohen në fazën e fundit të Sheshit ‘Skënderbeu’, duke përmbyllur një projekt me rëndësi të veçantë për shqiptarët në kryeqytet. 74 milionë euro janë planifikuar për Spitalin e Tetovës, sepse qytetarët tanë meritojnë shërbime shëndetësore dinjitoze dhe moderne. Mbi 200 milionë euro po investohen në autostradën Shkup-Bllacë, korridorin që lidh Shkupin me Prishtinën dhe që hap perspektiva të reja ekonomike për të gjithë rajonin”, ka thënë ai.

Përmes projekteve të ndryshme zhvillimore, Mexhiti shtoi se po realizohen rreth 100 milionë euro investime në komunat shqiptare: në rrugë lokale, shkolla, çerdhe, ujësjellësa dhe infrastrukturë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

“Ndërkohë, Korridori VIII, një nga projektet më të mëdha strategjike të shtetit, kalon nëpër zona ku jetojnë mijëra familje shqiptare, duke sjellë zhvillim dhe mundësi të reja ekonomike edhe për komunat shqiptare. Këto janë faktet se kur shqiptarët përfaqësohen me përgjegjësi, ata marrin hisen që u takon nga buxheti i shtetit. Sepse përfaqësimi i vërtetë nuk matet me numrin e funksioneve. Përfaqësimi i vërtetë matet me universitetet që ndërtohen, me spitalet që modernizohen, me rrugët që lidhin qytetet tona dhe me investimet që mbërrijnë në komunat tona. Dhe këtu shihet rëndësia e decentralizimit. Kur komunat kanë më shumë mundësi për të vendosur mbi prioritetet e tyre, zhvillimi bëhet më i drejtë, më i shpejtë dhe më afër qytetarëve”, ka thënë Mexhiti në fjalën e tij.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo