Pas diskutimeve të hollësishme të paraqitura në Debatin publik të mbajtur më 1.12.2025
me temë: “Zbatimi i Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftë kundër
dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit)”, në vazhdimin e
mbledhjes së 9-të të Komisionit për Mundësi të Barabarta për Femrave dhe Meshkujve u
miratuan këto konkluzione:
1. Ashpërsimi i politikës penale
Femicidi të trajtohet si vepra penale më e rëndë, me mundësi të dënimit me burgim të
përjetshëm dhe me standarde të qarta të përcaktuara për vlerësimin e rrezikut dhe
parandalimin.
2. Sistem institucional i fortë dhe i përgjegjshëm
Të ridizajnohet trupi koordinues me qasje ekspertësh, përgjegjësi ligjore dhe raportim të
rregullt (tremujor) për rezultatet.
3. Kuadër dhe profesionalizimi i institucioneve
Qendrat për Punë Sociale dhe të gjitha institucionet kompetente të pajisen më tej me
kuadër të specializuar, si dhe të vendoset trajnim dhe certifikim i detyrueshëm dhe i
vazhdueshëm.
4. Sistem i integruar i të dhënave dhe koordinimit
Të vendoset sistem funksional digjital për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet
institucioneve, me evidencë të unifikuar dhe monitorim të rregullt.
5. Rritja dhe standardizimi i shërbimeve për viktimat
Të zgjerohet rrjeti i strehimoreve, qendrave të krizës dhe qendrave rajonale, me standarde
të qarta, mbulim territorial dhe qasje 24/7 në shërbime.
6. Mbështetje afatgjatë dhe riintegrimi i viktimave
Qëndrimi në strehimore dhe ndihma financiare të zgjaten, me masa sistemike për punësim,
strehim dhe mbështetje psikososiale falas.
7. Punë sistematike me autorët e veprave
Të vendoset trajtim i detyrueshëm psiko-social si masë gjyqësore, ndjekjen e rrezikut të
përsëritjes dhe zgjerim i programeve në të gjithë vendin.
8. Financim i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm
Të sigurohet një model financiar stabil (shtet – vetëqeverisje lokale – OJQ), i bazuar në
shpenzime reale dhe planifikim shumëvjeçar.
9. Parandalimi përmes arsimit dhe vetëdijes publike
Të vendosen programe të detyrueshme në arsim dhe fushata të vazhdueshme të
orientuara drejt rritjes së vetëdijes publike, si për viktimat ashtu edhe për autorët potencialë.
10. Zbatim i plotë i kornizës ligjore
Të miratohen të gjitha aktet nënligjore, të harmonizohet praktika gjyqësore dhe të sigurohet
zbatimi i qëndrueshëm i strategjive dhe ligjeve.
Vendi ynë ishte ndër vendet e para që nënshkroi Konventën e Stambollit dhe ajo u ratifikua
nga Kuvendi në dhjetor 2017, dhe është në fuqi që nga qershori 2018. Me këtë, shteti u
zotua të marrë masa legjislative dhe masa të tjera për të siguruar kornizë ligjore,institucionale dhe organizative për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave
të dhunës, si dhe ndëshkimin e autorëve të dhunës.
Pas diskutimeve të hollësishme të paraqitura në Debatin publik të mbajtur më 7.4.2026 me
temë: “Draft-strategjia nacionale për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë
gjinore ndaj grave dhe dhuna në familje 2026–2033”, në vazhdimin e mbledhjes së 13-të të
Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujv u miratuan këto
konkluzione:
1. Financim i qëndrueshëm dhe institucional i linjave SOS, shërbimeve të specializuara dhe
mekanizmave afatgjatë të mbrojtjes.
2. Koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve, Vetëqeverisjes Lokale dhe Sektorit Civil, me
role të përcaktuara qartë dhe mekanizma detyrues për veprim.
3. Ndihmë e qasshme dhe falas ligjore, psikososiale dhe shëndetësore, strehim emergjent
dhe programe për rikuperim afatgjatë dhe fuqizim ekonomik të viktimave.
4. Forcimi i kapaciteteve dhe ndjeshmërisë së institucioneve, veçanërisht të Ministrisë së
Punëve të Brendshme, Qendrave për Punë Sociale, Gjykatave dhe Prokurorive, për veprim
në kohë dhe të duhur.
5. Trajnime të vazhdueshme, të standardizuara dhe të specializuara për policinë, punonjësit
socialë, mësimdhënësit, gjyqtarët, prokurorët dhe profesionistë të tjerë që punojnë me
viktimat.
6. Përmirësimi i mbrojtjes gjyqësore dhe ligjore, avancimi i sanksioneve dhe sigurimi i
mbështetjes për viktimat me qëllim shmangien e viktimizimit sekondar.
7. Zhvillimi i sistemit nacional për monitorim, përdorimi i të dhënave të anonimizuara dhe
mbikëqyrje e rregullt e zbatimit të strategjive dhe masave.
8. Qasje e barabartë në shërbime për të gjitha gratë, veçanërisht për femrat me aftësi të
kufizuara, femrat nga zonat rurale, femrat e moshuara dhe femrat viktima të dhunës
digjitale.
9. Rregullim i mëtejshëm ligjor i dhunës digjitale dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për
veprim në raste të tilla.
10. Përmirësimi i komunikimit ndërsektorial dhe dokumentimit të rasteve ndërmjet të gjithë
aktorëve relevantë në sistemin e mbrojtjes.
11. Forcimi i parandalimit përmes arsimit, punës me të rinjtë, përfshirjes së meshkujve dhe
zhvillimit të aktiviteteve në zonat rurale.
12. Trajnimi i mësimdhënësve dhe shërbimeve profesionale për njohjen e hershme dhe
reagimin në kohë ndaj shenjave të dhunës në familje.
13. Përdorim më i madh i masave për fuqizim ekonomik dhe mbështetje për pavarësinë
dhe sigurinë e viktimave.
14. Rishikimi i akteve nënligjore dhe sigurimi i buxhetit transparent, si dhe qasje e qartë
strategjike ndaj financimit të shërbimeve.
15. Zhvillimi dhe qasshmëria e shërbimeve të specializuara dhe të licencuara, përfshirë
shërbime për persona në krizë, autorët dhe viktimat me nevoja specifike.
Strategjia Nacionale synon të ofrojë sistem funksional, të harmonizuar dhe të qëndrueshëm
për parandalimin dhe mbrojtjen e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, bazuar
në të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Me të vendoset qasje e integruar që lidh
kompetenca, shërbime dhe sektorë të ndryshëm në një sistem të përbashkët për
parandalim, mbrojtje dhe mbështetje, të bazuar në parimin e kujdesit të duhur.