Me program artistik, ekspozita dhe paraqitje kulturore në Sheshin Skënderbeu, sonte u përmbyllën “Ditët e Fëmijëve”, të cilat shënuan edhe hapjen e manifestimit “Vera Kulturore e Çairit 2026”.
Gjatë ditës së tretë, qytetarët patën mundësi të vizitojnë ekspozitën me punime artistike të nxënësve të shkollave fillore të Çairit, ndërsa në mbrëmje u prezantua një program i pasur me valle, këngë, recitale dhe interpretime të përgatitura nga nxënësit dhe ansamblet pjesëmarrëse.
Përgjatë tre ditëve të manifestimit, qindra fëmijë, mësimdhënës, prindër dhe qytetarë morën pjesë në aktivitetet e organizuara, duke e shndërruar Sheshin Skënderbeu në një hapësirë të gjallë të kulturës, artit dhe krijimtarisë.
“Ditët e Fëmijëve” dëshmuan edhe një herë rëndësinë e mbështetjes së talenteve të reja dhe promovimit të vlerave kulturore e edukative, duke i dhënë skenën brezave të rinj për të shprehur kreativitetin dhe potencialin e tyre.
Me përfundimin e këtij kapitulli të parë, “Vera Kulturore e Çairit 2026” vazhdon me një program të pasur aktivitetesh kulturore, artistike, sportive dhe edukative që do të zhvillohen gjatë gjithë muajit qershor.









