Pasditen e sotme janë krijuar kolona të gjata trafiku në aksin rrugor Gostivar–Strazhë, ku drejtuesit e automjeteve po presin gati një orë për të kaluar në semafor. Sipas dëshmive të qytetarëve, bllokada është aq e madhe sa që, siç thonë ata, pritja është më e gjatë se në disa pika kufitare gjatë kulmit të sezonit turistik.
Shoferët e revoltuar thonë se disa prej tyre e kanë raportuar gjendjen në polici dhe kanë kërkuar ndërhyrje për rregullimin e trafikut. Sipas tyre, nga policia kanë marrë përgjigje se do të dërgohej një ekip në terren, por deri në momentin kur janë bërë fotografitë, nuk kishte ende prani policore në vendngjarje.
Sipas qytetarëve, këto kolona nuk janë rast i izoluar, por një dukuri e zakonshme çdo të premte pasdite dhe të dielën, kur mijëra automjete lëvizin drejt qendrave turistike ose kthehen në shtëpi pas fundjavës.
Drejtuesit e automjeteve u bëjnë thirrje institucioneve kompetente që të sigurojnë prani të vazhdueshme policore në periudhat më kritike, me qëllim rregullimin më efikas të trafikut dhe zvogëlimin e kolonave të gjata.
Ata paralajmërojnë se, nëse nuk ndërmerren masa konkrete, këto kolapse në komunikacion do të vazhdojnë edhe gjatë sezonit veror, kur numri i automjeteve në këtë aks rrugor rritet edhe më shumë.