Ndryshimet në Ligjin për Automjete kaluan filtrin e parë parlamentar. Propozim-ligji parashikon vendosjen e rregullave të reja për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve përmes stacioneve të autorizuara për kontroll teknik, të cilat do të mund ta kryejnë këtë procedurë pasi të marrin autorizim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Për marrjen e autorizimit është paraparë kompensim prej 60.000 denarë, ndërsa përcaktohen edhe kushtet që duhet t’i plotësojnë personat juridikë, mënyra e mbajtjes së evidencës dhe shkëmbimi elektronik i të dhënave me MPB-në.
Me ndryshimet mundësohet që stacionet e autorizuara për kontroll teknik të kryejnë vazhdimin e regjistrimit të automjeteve tashmë të regjistruara dhe të lëshojnë vërtetim për automjet të regjistruar, i cili barazohet me vulën në lejen e qarkullimit ku regjistrimi do të mund të kryhet në të gjithë territorin e shtetit.
“Qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara është të saktësohet procedura për marrjen e autorizimit të personit juridik për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve dhe për vazhdimin e regjistrimit të tyre, si dhe të parashihet kushti për miratimin e një akti nënligjor me të cilin më hollësisht do të rregullohet kryerja e punëve që kanë të bëjnë me vazhdimin e regjistrimit të automjeteve. Këto ndryshime dhe plotësime do të sigurojnë mbikëqyrje efikase nga institucionet përkatëse, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve të mundshme”, Toni Jarevski, deputet i OBRM-PDUKM-së.
Me ndryshimet vendosen edhe baza të reja për heqjen e autorizimeve në rastet kur nuk plotësohen kushtet ligjore, kur është nisur procedurë falimentimi ose likuidimi, apo kur janë konstatuar parregullsi në punë. Parashihen gjithashtu edhe sanksione të reja, ndër të cilat gjobë prej 10.000 euro për personin juridik dhe 500 euro për personin përgjegjës, nëse kryejnë vazhdimin e regjistrimit pa autorizim.
Për më tepër, nëse një stacion për kontroll teknik vazhdon të punojë pavarësisht ndalimit të shqiptuar nga MPB-ja, mund t’i hiqet autorizimi, licencat e punonjësve profesionalë, ndërsa autorizim të ri nuk do të mund të marrë për një periudhë prej një viti.
Ndryshimet përfshijnë edhe ndryshime në sistemin e provimeve profesionale dhe të licencimit, duke rritur numrin e anëtarëve të komisioneve të provimit nga dy në tre, duke vendosur kompensim për punën e tyre, si dhe detyrimin që personat profesionalë t’i nënshtrohen verifikimit periodik të njohurive çdo katër vjet. Licencat dhe certifikatat do të kenë vlefshmëri prej katër viteve.