Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me Projektligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke vlerësuar se versioni aktual nuk përmban mekanizma të mjaftueshëm për të garantuar zbatimin e tij në praktikë.Gjatë debatit parlamentar, Snopçe i’u përgjigj drejtpërdrejt argumentit të deputetes së VLEN-it, e cila kishte deklaruar se mungesa e dispozitave ndëshkuese nuk do të ndikonte në zbatim, pasiqë sipas saj përgjegjësia politike ka peshë më të madhe sesa gjobat dhe përbën garancinë kryesore për respektimin e ligjit.
Snopçe e hodhi poshtë këtë qëndrim duke i’u referuar ekspertizës së profesor Mersim Maksutit, një nga figurat kryesore të angazhuara në procesin e hartimit të ligjit. Sipas tij, Maksuti ka vlerësuar qartë se ligji, në formën e propozuar, nuk ofron mekanizma të mjaftueshëm për zbatim efektiv. Për më tepër, Maksuti ka theksuar se edhe përgjegjësia politike argumenti kryesor i VLEN-it nuk është i sanksionuar në tekstin ligjor, por mbetet thjesht në nivel deklarativ.
Nëse nuk ka masa konkrete për zbatimin e ligjit, nëse mungojnë dispozitat ndëshkuese dhe nëse as përgjegjësia politike nuk është e përcaktuar qartë në ligj atëherë cilat janë garancitë reale që ky ligj do të zbatohet? ka pyetur Snopçe.
Një tjetër fakt i rëndësishëm që nuk duhet anashkaluar,është se profesor Maksuti dha dorëheqje nga Komisioni i Ekspertëve pikërisht sepse vlerësoi se versioni përfundimtar i ligjit nuk i plotësonte standardet e nevojshme. Dorëheqja e një eksperti të brendshëm nuk është gjest simbolik është alarm institucional.