Gjykata shpall të pafajshëm babanë e shoferit që shtypi për vdekje Frosina Kulakovën në Shkup

Gjykata Themelore Penale ka marrë vendim lirues për Zoran Jovanovin, babanë e Vasil Jovanovit, ky i fundit i cili shtypi për vdekje Frosina Kulakovën në bulevardin “Partizanski Odredi” në Shkup.

​Aksidenti ndodhi kur Vasil Jovanov, duke drejtuar automjetin në pronësi të babait të tij, goditi Kulakovën derisa ajo po kalonte në vijat e bardha (kalimin e këmbësorëve).

​Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata deklaroi se përgjegjësia penale nuk mund të bazohet vetëm në faktin se i akuzuari ishte pronar i automjetit dhe se djali i tij madhor po e drejtonte atë pa leje drejtimi.

​”E drejta penale bazohet në parimin e përgjegjësisë personale dhe individuale, prandaj pasojat e veprimeve të pavarura të një personi madhor nuk mund t’i vishen automatikisht një personi tjetër vetëm për shkak të lidhjes familjare apo pronësisë së automjetit”, deklaron Gjykata.

​Sipas vendimit të gjykatës, shkaktari i drejtpërdrejtë i tragjedisë ka qenë shoferi si pjesëmarrës i pavarur në komunikacion, ndërsa përsëritja e sjelljeve kundërvajtëse nuk mund të trajtohet automatikisht si vepër penale nëse nuk plotësohen kushtet ligjore.

​Gjatë procedurës, prokurori publik Aleksandar Markovski e rikualifikoi aktakuzën në një vepër penale më të lehtë – rrezikim i sigurisë në komunikacion.

​Vendimi u mor nga gjyqtarja Snezhana Markovska, e cila më parë dënoi me burg Vasil Jovanovin për aksidentin rrugor.
​Kjo tragjedi pati shkaktuar reagime të ashpra në opinion dhe protesta të shumta, pasi u bë e ditur se Jovanov po drejtonte makinën nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi dhe kishte kaluar me dritë të kuqe përpara se të godiste Frosina Kulakovën.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo