Kancelari gjerman Friedrich Merz të martën i premtoi mbështetje të plotë Kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar, për ta kthyer vendin në rrjedhën kryesore evropiane.
Merz-i e lavdëroi Magyar-in në vizitën prezantuese të Kryeministrit hungarez në Berlin, duke e përshkruar fitoren e tij zgjedhore ndaj Viktor Orbánit si frymëzuese për Evropën dhe duke premtuar se do të ndihmojë për të siguruar një fillim të ri të suksesshëm.
Çfarë thanë Merz-i dhe Magyar-i për Hungarinë dhe BE?
Duke pritur liderin e ri hungarez, Merz-i deklaroi se Magyar është “feneri i madh i shpresës së kohës sonë” për shumë hungarezë.
“Ju është dhënë një mandat i qartë,” tha ai. “Demokracia dhe sundimi i ligjit në Hungari janë sërish të forta. Besojmë që ai do ta kthejë Hungarinë në zemër të Evropës,” shtoi Merz-i.
Magyar-i ka premtuar se Hungaria do të veprojë si një “partner i ndershëm dhe i besueshëm” brenda Evropës. Ai tha se mosmarrëveshjet ishin të pashmangshme, por theksoi se Budapesti nuk do të përdorte veto-n e tij “në parim” dhe shtoi: “Unë besoj te negociatat.”
Orbáni kishte kaluar vite duke bllokuar vendime kyçe të Bashkimit Evropian duke përdorur të drejtën e vetos së Hungarisë, dhe së fundmi vonoi miratimin e një huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
Partia konservatore e Magyar-it, Tisza, mundi bindshëm partinë nacionaliste Fidesz të Orbán-it në zgjedhjet e prillit, duke siguruar një shumicë dy të tretash dhe duke premtuar reforma radikale të sistemit.
Çfarë tha Magyar-i për Ukrainën?
Megjithatë, Magyari ka sinjalizuar vetëm një ndryshim të pjesshëm në politikënë lidhje me Ukrainën . Në Berlin, ai riafirmoi se Hungaria nuk do të dërgonte armë apo trupa në Ukrainë, një qëndrim që ka marrë lavdërime nga Moska. Ai gjithashtu planifikon të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Ukrainën derisa të garantohen të drejtat e pakicës etnike hungareze atje, veçanërisht në lidhje me arsimin në gjuhën hungareze.
Sipas vlerësimeve hungareze, deri në 100.000 vetë me etni hungareze jetojnë në rajonin e Transkarpateve, në perëndim të Ukrainës.
Megjithatë, Magyar-i tha se pret përparim së shpejti. Ai tha se bisedimet teknike mund të përfundojnë këtë javë dhe, nëse ndodh kështu, ai do të ishte i gatshëm të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski javën e ardhshme për të hapur “një kapitull të ri” në marrëdhëniet dypalëshe. Merz-i tha se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne e kuptojmë që Budapesti dëshiron të zgjidhë së pari çështjet dypalëshe, siç janë të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë,” tha Merz-i në takimin në Berlin. “Megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të mbështetjes evropiane, as të na pengojë nga qëllimi ynë për të nisur zyrtarisht tani negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, duke filluar me kapitullin e parë.” / DW