Ka filluar votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, për zgjedhjet e së dielës, shkruan Reporteri.net.
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka publikuar foto ku qytetarët shihen duke pritur për të hyrë për të votuar.
Konsullata ka ftuar qytetarët e regjistruar me sukses të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të votojnë.
“Votimi në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih Sot, po zhvillohet procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike.Votimi në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, ka filluar në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00. I ftojmë të gjithë qytetarët e regjistruar me sukses që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm. Falënderojmë bashkatdhetarët tanë për angazhimin, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin!”, thuhet në njoftim.
Sipas një njoftimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.
“27,724 votuesit e regjistruar në 30 përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026)”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dje ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili u kishte mundësuar votuesve në diasporë të votojnë në përfaqësi diplomatike edhe me dokumente identifikimi të Kosovës me afat të skaduar.
Në arsyetimin e saj, PZAP ka theksuar se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lejon interpretim të zgjeruar për dokumentet e identifikimit.
“Paneli vlerëson se kjo dispozitë është e qartë dhe nuk lejon dualizëm në interpretim që do ta barazonte dokumentin e vlefshëm me dokumentin me afat të skaduar”, thuhet në vendim.
Po ashtu, PZAP ka sqaruar se vlefshmëria e dokumentit është kusht ligjor për identifikimin e votuesit.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme. /Reporteri.net/