Drejtori i Qendrës për Punësim në Tetovë, Nehat Osmani pengon gazetarët. Reagon SHGM





Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër veprimin joprofesional dhe të papranueshëm të drejtorit të Qendrës për Punësim në Tetovë, Nehat Osmani, si dhe të personave të tjerë të pranishëm në zyrën e tij, ndaj gazetarit Aleksandar Samarxhiev dhe kameramanit Zoran Todorovski nga TV Telma.

Sipas informacioneve të gazetarit Aleksandar Samarxhiev, gjatë përpjekjes për të marrë një deklaratë lidhur me ankesat e qytetarëve për pritjet e gjata gjatë dorëzimit të dokumenteve për masat e vetëpunësimit, ekipi gazetaresk është përballur me presione për të fshirë materialin e incizuar. Veçanërisht shqetësues është fakti se kameramani është detyruar t’i fshijë pamjet e regjistruara, me kërkesë të drejtorit dhe personave të tjerë të pranishëm.

SHGM rikujton se çdo pengim i punës së gazetarëve, ushtrim presioni, kërcënim apo detyrim për fshirjen e materialeve gazetareske përbën një sulm serioz ndaj lirisë së mediave dhe të drejtës së publikut për t’u informuar në mënyrë të pavarur dhe objektive.

Shoqata i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që pa vonesë t’i sqarojë të gjitha rrethanat e rastit, të hetojë përgjegjësinë eventuale të të gjithë personave të përfshirë dhe të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore.

Institucionet dhe funksionarët publikë kanë detyrim të krijojnë kushte për raportim të lirë dhe të papenguar, e jo të ushtrojnë presion ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Mbrojtja e gazetarëve mbetet një nga kushtet themelore për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe për garantimin e të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo