Dimitrieska-Koçoska: Partneriteti me IFC-në është i rëndësishëm për investimet, tranzicionin energjetik dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë maqedonase
16 qershor 2026, Shkup – Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska mori pjesë në pjesën e parë të ngjarjes “Dita e IFC-së” në Maqedoni, e organizuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC).
Në fjalën e saj ministrja theksoi se në kushtet e sfidave globale, investimet, inovacionet dhe një sektor i fuqishëm privat mbeten nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike, produktivitetit dhe hapjes së vendeve të reja të punës.
“Qëllimi ynë është në drejtim të përkrahjes së investimeve që krijojnë vlerë të shtuar, hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes së konkurreshmërisë në tregjet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe integrimin në zinxhirët globalë të vlerës”, theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj krijimit të mjedisit afarist stabil, të parashikueshëm dhe stimulues për investime, sipërmarrjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa partneriteti me IFC-në ka rëndësi të veçantë, jo vetëm nga aspekti i përkrahjes financiare, por edhe përmes ekspertizës dhe transferimit të praktikave ndërkombëtare.
Ministrja e mirëpriti përkrahjen e IFC -së për realizimin e projekteve të mëdha investuese, duke përfshirë edhe zhvillimin e turbinave me erë në Shtip, si dhe investimet në modernizimin industrial dhe dekarbonizimin, duke vlerësuar se ato kontribuojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, transferimin e teknologjive dhe përforcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë vendase.
Dimitrieska-Koçoska theksoi se ekonomia maqedonase po shënon rritje për shtatë tremujorë radhazi, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë rritje të PBB-së prej 3.1 % në tremujorin e parë të vitit 2026, që sipas saj, kjo është dëshmi se politikat e orientuara drejt stabilitetit, investimeve dhe përkrahjes së sektorit privat ofrojnë rezultate konkrete.