Costa: Udhëheqësit politikë të punojnë bashkë përtej ndasive, Kosovës i duhen institucione të forta





Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Prishtinë se Bashkimi Evropian e mbështet vazhdimisht Kosovën dhe proceset e saj eurointegruese.

Costa ka theksuar se, në prag të zgjedhjeve, mesazhi i tij është që partneriteti me BE-në vjen me përgjegjësi dhe se integrimi evropian duhet të jetë prioritet përtej ndarjeve politike, teksa ka përmendur takimet që do të zhvillojë me krerët e shtetit.

Presidenti i KE-së ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione të forta dhe funksionale, të afta për të zbatuar reformat dhe për të përmbushur obligimet në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Kosova po shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I inkurajoj udhëheqësit politikë që ta bëjnë integrimin në BE një përparësi, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reformat, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe duke përmbushur të gjitha angazhimet e Dialogut Beograd-Prishtinë”, shkroi Costa.

Costa në Kosovë u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Më pas pritet të takohet me përfaqësues të partive politike.

Costa ka nisur një seri vizitash në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai të hënën tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian është mundësi reale për shtetet e Ballkanit./Reporteri.net/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo