Costa në konferencën me kryeministrin Rama: Zgjerimi i BE-së është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën, raporton Anadolu.

Kur’ban Bajram banner
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në një takim kreun e KE-së, Costa, ndërkohë mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë.

Rama tha se kanë dakordësinë me BE-në sa i përket domosdoshmërisë që të ecin me këtë ritëm dhe të fillojnë me mbylljen e kapitujve.

Ai shtoi se falënderon presidentin e KE-së për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për “mbështetjen e palodhur”.

“Ne ndajmë plotësisht me presidentin bindjen se pjesa kryesore e punës tonë këtu mbetet puna jonë që do të thotë se ne kemi detyra për të përmbushur jo për hir të Brukselit, Berlinit, apo Parisit, por për hir të përmirësimit të performancës së shtetit dhe të institucioneve”, u shpreh Rama.

Duke theksuar se kanë dakordësi 100 për qind në të gjitha çështjet, Rama theksoi: “Kemi dakordësi njëqind për qind për sa i përket detyrave që ne duhet të bëjmë. Kemi dakordësi njëqind për qind sa i përket domosdoshmërisë që të ecim me këtë ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve, që të bëjmë çmos që rajoni si i tërë të funksionojë si një kolektiv bashkëpunues”.

Duke folur për procesin e integrimit evropian Rama tha se në këtë rrugëtim nuk janë vetëm, por shtoi se “kemi një partner të jashtëzakonshëm siç është Bashkimi Evropian dhe kemi një burim të jashtëzakonshëm dijesh siç është procesi i negociatave dhe i ndërveprimit me Komisionin Evropian”.

– Costa: Bashkimi Evropian është partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka deklaruar se vlerëson dhe përgëzon vendosmërinë e Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për t’u bërë shtet anëtar i BE-së.

“Edhe këto reforma, më shumë sesa kushte të vendosura nga Bashkimi Evropian janë në fakt zgjedhje nga ana juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Një angazhim i vazhdueshëm dhe i prekshëm për sundimin e ligjit dhe për ruajtjen e një gjyqësori të pavarur dhe llogaridhënës janë themele thelbësore për anëtarësimin në BE”, tha ai.

Costa theksoi se Bashkimi Evropian është në fakt partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë dhe sipas tij është edhe investuesi kryesor dhe partneri më i rëndësishëm tregtar.

“Bashkimi Evropian ka sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në kontinent për të gjitha shtete anëtare. Në këtë kohë plot pasiguri gjeopolitike në mbarë globin dhe pa stabilitet ekonomik më shumë sesa mundësi, zgjerimi i BE-së është gjithashtu një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën”, tha Costa.

Costa gjatë vizitës u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo