Blendi Gonxhja me studentët e Universitetit “Nënë Tereza”: Rinia shqiptare është ura që lidh të ardhmen e kombit
Ministri shqiptar Blendi Gonxhja, së bashku me studentë të Universitetit “Nënë Tereza” nga Shkupi dhe ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, zhvilluan një vizitë në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, një nga hapësirat më domethënëse të kujtesës historike shqiptare informon Tetovasot.
Vizita u shoqërua me një bashkëbisedim të hapur me studentët, ku u diskutua për rëndësinë e kulturës, trashëgimisë kombëtare dhe rolin që brezi i ri ka në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Gonxhja theksoi se të rinjtë janë faktor kyç në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe komunikimit mes shqiptarëve në rajon, ndërsa takime të tilla krijojnë mundësi të reja për shkëmbim përvojash, zhvillim projektesh të përbashkëta dhe forcim të identitetit kulturor.
Gjatë vizitës u diskutua edhe zgjerimi i bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, me fokus në programe që nxisin mobilitetin e të rinjve, pjesëmarrjen aktive në jetën shoqërore, shkëmbimet kulturore dhe projektet që afrojnë më shumë të rinjtë shqiptarë në hapësirën mbarëkombëtare.
Në fund, Gonxhja falënderoi Universitetin “Nënë Tereza”, ambasadorin Denion Meidani dhe studentët për angazhimin dhe energjinë e tyre, duke theksuar se investimi te rinia është investimi më i sigurt për një të ardhme më të fortë dhe më të bashkuar shqiptare.Tetovasot