Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se forcat amerikane kanë zhvilluar një operacion sekret për largimin e miliona fuçive naftë nga Ngushtica e Hormuzit, pa u vënë re nga autoritetet iraniane.
Duke folur para gazetarëve të mërkurën, Trump tha se operacioni zhvillohej gjatë natës dhe mundësoi transportimin e sasive të mëdha të naftës së papërpunuar jashtë zonës së tensioneve, duke kontribuar në stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare të energjisë.
“Po largonim miliona fuçi nafte. Askush nuk e di këtë. Po largonim miliona fuçi nafte, miliona fuçi çdo natë”, u shpreh Trump.
Sipas presidentit amerikan, Uashingtoni përfitoi nga dobësimi i kapaciteteve mbrojtëse iraniane. Ai deklaroi se së fundmi u larguan 22 anije që transportonin naftë iraniane, të cilat lëvizën ngadalë gjatë natës me dritat e fikura.
Trump pretendoi se operacioni u bë i mundur pasi sistemet iraniane të radarëve janë dëmtuar rëndë nga sulme të mëparshme amerikane, duke kufizuar aftësinë e Teheranit për të monitoruar lëvizjet në rajon.
Trump argumentoi se pa këtë operacion, çmimi i naftës mund të ishte rritur deri në 250 dollarë për fuçi. Sipas tij, ndërhyrja amerikane ndihmoi që çmimet të mbeteshin në intervalin 85–90 dollarë për fuçi.
Ai shtoi se ruajtja e fshehtësisë së operacionit ishte thelbësore për suksesin e tij dhe se veprimet e ndërmarra kanë ndikuar në balancat energjetike gjatë krizës në rajon.