Ali Ahmeti nga Vrapçishti: Forca jonë është bashkimi i shqiptarëve. BDI mbetet partia më e fortë!





Në një atmosferë të ngrohtë dhe me frymë uniteti, në Vrapçisht u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ku u konstituuan organet dhe strukturat e reja drejtuese të degës për periudhën e ardhshme.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një mesazhi përshëndetës, uroi kryetarin e degës, Kryesinë e Degës, Këshillin Mbikëqyrës, Komitetin e Veteranëve dhe sekretarët e sekretariateve për besimin e marrë dhe përgjegjësinë e re.

Ahmeti theksoi se strukturat e reja do të kenë për detyrë forcimin e organizimit politik dhe afrimin e mëtejshëm me qytetarët e Vrapçishtit, duke shprehur bindjen se përkushtimi dhe puna do të sjellin rezultate.

“Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca më e madhe, më e organizuar dhe më e konsoliduar politike e shqiptarëve në vend. Fuqia jonë buron nga besimi i qytetarëve, uniteti ynë dhe qëndrueshmëria e kauzës që përfaqësojmë”, u shpreh Ahmeti.

Ai shtoi se në këtë periudhë nevojiten organizim, mençuri dhe vendosmëri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së të arriturave dhe mbrojtjes së interesave të shqiptarëve përmes, siç tha ai, një vizioni të qartë dhe angazhimit të përbashkët.

Kuvendi zgjedhor i Degës së BDI-së në Vrapçisht shënon një hap të ri në konsolidimin e strukturave partiake dhe përgatitjen për aktivitetet e ardhshme politike./TS

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo