VLEN-i po keqinformon ndërkombëtarët për Marrëveshjen e Ohrit, akuzoi nga Kërçova, kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Duke u kthyer në retrospektivë, kreu integrist tha se kur u përpilua marrëveshja, për shkak të kompromisit që duhej bërë, fjala “shqiptarë” u zëvendësua me “20%”, por kjo sipas tij, aspak nuk e rrezikon substancën. Sipas tij, gjuha shqipe në Marrëveshjen e Ohrit është gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet e shtetit.
“Marrëveshja e Ohrit ka ndryshuar statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në Maqedoni. Maqedonia është shtet i shqiptarëve, i maqedonasve. Shqiptarët janë shtetformues. Është tjetër që neve na kanë poshtëruar ata që nuk e kishin legjitimitetin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe i keqinformojnë si autoritetet në Kosovë, ashtu siç ma kanë pohuar edhe diplomatë nga vendet e Evropës që i kanë keqinfromuar”, deklaroi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Por për ta zhbërë këtë keqinformim, Ahmeti tha se BDI ka punuar me kapacitet të plotë për t’i informuar garantuesit e Marrëveshje së Ohrit – SHBA, BE dhe NATO; dhe në rast se rrezikohet gjuha dhe Marrëveshja e Ohrit, përgjegjësia duhet të ndahet bashkë me ta, siç është bashkëndarë edhe suksesi.
“Me dhjetëra takime janë bërë, si me Uashingtonin, si me Brukselin, si me NATO-n, të mos kthehemi prapa, sepse nuk është mirë për vendim. Ne duhet të shohim të ecim përpara, vendi duhet të anëtarësohet në BE, të mbyllen të gjitha çështjet e pambyllura me fqinjët. MO në frymën e saj duke të realizohet, e jo të shkohet të ndërrohen emërtimi i rrugëve siç ndodhi në Tetovë, apo iniciativa e Gjykatës Kushtetuese me 75 faqe kundër Ligjit të gjuhës shqipe”, tha Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.
Vetëm duke e pranuar njëri-tjetrin, shteti mund të ecë përpara, tha Ahmeti, duke bërë thirrje për bashkëjetesë dhe marrëdhënie të mira ndëretnike.
Duke iu përgjigjur akuzave të korrupsion në radhët e zyrtarëve të BDI-së, Ahmeti u bëri thirrje të hapet hetim me mbikëqyrje ndërkombëtare për të gjithë funksionarët shtetërorë, por shtoi se nuk kanë guxim ta bëjnë këtë, madje duke cituar një shprehjen “hajduti të akuzon për hajdut”.