A do të jetë Fatmir Limani “çelësi” i rrëzimit të VLEN-it nga qeveria?

Shkruan: TetovaSot

Në politikë shpesh ndodh që njerëzit që ndërtojnë një projekt të jenë të parët ata që largohen prej tij. Pikërisht kjo duket se është historia e Fatmir Limanit me BESËN dhe më pas me VLEN-in.

Pavarësisht çdo gjëje, ai mbetet një politikan që duhet marrë seriozisht, sepse e ka dëshmuar që ai mund t’i “rrënojë” kështjellat e forta edhe të atyre që nuk besuan se Fatmiri mund ta bënte këtë.

Fatmiri ishte një nga figurat që i dha peshë dhe kredibilitet opozitës shqiptare në momentet më të vështira. Ai erdhi nga një BDI e fuqishme dhe 20-vjeçare në pushtet, duke marrë një rrezik politik që pak kush do ta merrte. Në kohën kur shumëkush e konsideronte të pamundur largimin e BDI-së nga pushteti, ai besoi te NDRYSHIMI.

Por, pasi u arrit qëllimi dhe pasi u ndërtuan urat që e çuan VLEN-in drejt qeverisë, Fatmir Limani u la në hije të fuqisë politike të partisë. Bilall Kasami dhe Adnan Azizi “akuzohen” nga mbështetësit e tij se fillimisht e shfrytëzuan peshën e tij politike për hyrje në qeveri dhe më pas gradualisht e larguan nga qendrat vendimmarrëse të BESËS dhe VLEN-it.

Pikërisht këtu nis pjesa e dytë e politikës, ajo më e rëndësishmja në periudhën që vjen.

Megjithatë, ata që e njohin Fatmirin e dinë se ai nuk është njeri që dorëzohet lehtë. Ai nuk u përkul as në periudhat më të vështira të jetës, kur për arsye ekonomike mori rrugën e Zvicrës për të siguruar ekzistencën. Ai zgjodhi sakrificën para nënshtrimit dhe këtë karakter e ka bartur edhe në politikë. Ai nuk ndryshon në këtë drejtim dhe është një kockë që nuk thyhet lehtë.

Sot shumëkush mendon se Fatmir Limani është dobësuar politikisht. Por historia politike shpesh ka treguar se figurat që duken të mënjanuara mund të kthehen më të forta se kurrë. Ndoshta pikërisht largimi nga strukturat e VLEN-it i ka dhënë atij lirinë për të vepruar pa barrën e kompromisit.

Nuk është rastësi që sa herë përmenden zgjedhjet e parakohshme parlamentare, brenda VLEN-it ka nervozizëm. Ata e dinë se sot nuk e kanë më atë Fatmir Limanin që dikur kontribuoi në krijimin e urave drejt pushtetit. Nuk e kanë më njeriun që ndihmoi që një koalicion opozitar të bëhej pjesë e qeverisë, edhe pse kishte dalë humbës në bllokun shqiptar.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja politike që po qarkullon gjithnjë e më shpesh në opinion: A mund të jetë Fatmir Limani “çelësi” i ardhshëm i rrëzimit të VLEN-it nga qeveria?

Nëse dikur ishte një nga njerëzit që ndihmoi në ngritjen e këtij projekti politik, a mund të bëhet tani figura që do të ndikojë në dobësimin e tij?

Në politikë, asgjë nuk është më e rrezikshme sesa të nënvlerësosh një aleat të dikurshëm që njeh të gjitha pikat e forta dhe të dobëta të “kështjelle” që vetë ka ndihmuar ta ndërtohejë.

Koha do ta japë përgjigjen.

Por një gjë është e sigurt, emri i Fatmir Limanit vazhdon të përmendet sa herë flitet për të ardhmen e VLEN-it, dhe kjo tregon se pesha e tij politike ende nuk është zhdukur nga skena, por ai bëhet më i fuqishëm!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo