Zgjedhje të reja me përmbajtje të vjetër!

Shkruan: Florim Zeqa

Nga momenti i caktimit të datës së zgjedhjeve, liderët e partive politike janë duke përdorur të gjitha mjetet antidemokratike, me gjuhë fyese dhe denigruese kundër njëri-tjetrit dhe jo vetëm. I kanë vënë në lëvizje militantët partiakë, të cilët nuk lën personalitet pa njollosur, duke i etiketuar me lloj-lloj shpifjesh dhe insinuatash për veprimtari antishtetërore dhe antikombëtare.

Thirrje vëllazërore nga thellësia e shpirtit

Qytetarë të dashur të vendit tim, duajeni dhe respektojeni njëri-tjetrin, ruajeni dhe kultivone dashurinë vëllazërore në familjet e juaja ashtu siq ishte gjithmonë në traditën tonë popullore, nderoni dhe respektoni miqtë dhe farefisin e gjërë, e assesi mos u ndani dhe përçani mes veti për shkak të këtyre partive politike të dështuara dhe të këtyre politikanëve të papërgjegjshëm dhe të pa ndërgjegjshëm kosov®ar.

Mjafton t’i përcjellni veprimet dhe sjelljet e politikanëve në baza ditore, dhe e shihni qartë si e ndërrojnë gëzofin qysh ndërron moti. Para dite përlahen dhe ofendohen mes tyre, kurse pas dite i thurin lavde njëri-tjetrit!

Thënë me një fjalë, kjo klasë kusarësh politik janë bërë të paparashikueshëm edhe brenda sojit të njëjtë. Këta politikanë, për një interes të vogël i thonë “dreqit dajë” siq e thotë populli dhe për një hatërmbetje të vogël vëllaut i thonë djallë!

Politikanët që ndajnë heronjët dhe dëshmorët në baza partiake, që klasifikojnë intelektualët dhe krijuesit sipas bindjeve politike, dëshirave apo urrejtjes, nuk janë udhëheqës shtetëror por uzurpatorë të institucioneve shtetërore dhe skenës politike në përgjithësi.

Momenti i fundit për reflektim të qytetarëve

Pa humbur kohë duhet të ndryshohet mentaliteti qeverisës në vend përmes rreshtimit në një alternativë të re politike, jo sa për të ndërruar pushtetin, por për të ndërruar sistemit aktual qeverises dhe klasën politike në përgjithësi.

Angazhimi im apartiak është që ta bëjmë një Kosovë ndryshe nga kjo e sotmja, për të cilën kemi sakrifikuar dhe kemi luftuar, për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë duke ëndërruar vlerat e lirisë sonë!

Sa më parë duhet të vijnë në shprehje vlerat e mirëfillta njerëzore dhe kombëtare për ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik, për barazi qytetare, në mënyrë që qytetarët ta ndjejnë veten të barabartë në shtetin e tyre.

Vetëm në një shtet ku qytetarët e ndjejnë veten të barabartë para ligjit, athëherë mund themi se jemi në rrugë të mbarë, në të kundërtën çdo gjë kthehet në anarki siq është kthyer Kosova e këtyre viteve të fundit, ku për dikë shteti është bërë “nënë” e për dikë tjetër “njerkë”!

Kemi kapacitete intelektuale dhe njerëzore në Kosovë dhe mërgatë për tejkalimin e kësaj situate anarkike në vendin tonë.

Me dashuri për vendin, me qëllim të mirë mirë, përkushtim dhe vendosmëri, bashkëpunim reciprok dhe transparencë në veprime brenda një kohe relativisht të shkurtër mund ta bëjmë kthesen e madhe dhe epokale, me ç’rast popullatës do t’i kthehet besimi dhe shpresa për jetë në atdheun e vet.

Të bashkuar rreth ADN-së për shtetin e Kosovës!

Shkuarja e vendit në zgjedhje me forca të vjetra nuk do ta sjellë asnjë ndryshim, përkundrazi do të kemi përkeqësim!

Qytetaret nuk kanë çfarë të zgjedhin dhe për kë të votojnë, pasi, nga fillimi e deri në fundin e “thesit” të njëjtë janë bërë, kusarë të pangopshëm politik mbi kurrizin e qytetarëve të varfër të këtij vendi.

Edhe përkundër konvertimit nga njëra parti në tjetrën, përmbajtja e politik-bërjes kosovare ka mbetur e njëjtë dhe e pandryshuar!

Prandaj, që nga tani duhet të mendohet për zgjedhjet e radhës brenda këtij viti, ngase pas këtyre zgjedhjeve vendi do të hyjë në një krizë akoma më të thellë politike.

Për tejkalimin e kësaj bllokade të gjatë institucionale, shqiptarët e Kosovës duhet të bashkohen rreth Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN), kësaj force politike në ngjizje e sipër, njëjtë sikurse në vitet e ’90-ta, për t’i hedhur në koshin e mbeturinave të gjitha partitë aktuale që e katandisen Republikën e Kosovës deri në këtë deregje, duke e vënë në pikëpyetje edhe ekzistencën e shtetit!

I besoj vetëm ADN-së, produktit tim politik, pra i besoj vetes time dhe qytetarëve të vendit tim. Me ADN-në e fillojmë një faqe të re politike në historinë e Kosovës së lirë, të bazuar në vlera dhe meritokraci. I përkas të djathtës shqiptare, andaj nuk kam nostalgji për pushtetet e kaluara, e aq më pak për neokomunistët në pushtet, e shumë më pak për neokomunistët e mbështjellur me flamur dardan.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo