Trump sulmon Iranin: 47 vite lojë me botën/ Presidenti i SHBA-ve rikthen debatin për marrëveshjen bërthamore të 2015-s
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Iranin se prej dekadash po manipulon Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar përmes politikave dhe qëndrimeve të tij ndaj programit bërthamor.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se Irani “ka luajtur lojëra” me SHBA-në dhe pjesën tjetër të botës për 47 vite, duke rikthyer edhe një herë tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Ai kritikoi gjithashtu marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e arritur gjatë presidencës së Barack Obama, duke e cilësuar atë si një marrëveshje të dobët që, sipas tij, i dha Iranit më shumë hapësirë për të vazhduar aktivitetet bërthamore.
Marrëveshja ishte firmosur mes Iranit dhe fuqive të mëdha botërore, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën, me qëllim kufizimin e programit bërthamor iranian në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.