Trupi i një djaloshi 12-vjeçar është gjetur ditën e djeshme në bregun e lumit Vilen në qytetin francez Ren, me ç’rast prokuroria ka hapur një hetim nën dyshimin për vrasje, njoftuan mediat franceze.
Sipas informacioneve, rreth qafës së fëmijës ishte lidhur fort një peshqir i lagur.
Alarmin e ka ngritur një peshkatar i cili, sipas burimeve policore, ka dëgjuar britma shqetësuese fëmijësh. Kur kanë mbërritur dëshmitarët okularë dhe shërbimet e urgjencës, djaloshi ishte tashmë pa shenja jete.
Policia e ka marrë njoftimin rreth orës 16:40, ndërsa dhjetë minuta më vonë në vendngjarje kanë mbërritur patrollat dhe zjarrfikësit. Mjekët në atë moment kanë mundur vetëm të konstatojnë vdekjen.
Prokuroria franceze njoftoi se është hapur një hetim me qëllim që të përcaktohen rrethanat e sakta se si ka ndërruar jetë fëmija.
Gjatë mbrëmjes, një numër i madh i policëve dhe ekspertëve mjeko-ligjorë kanë kryer ekspertizë në afërsi të një kompleksi banesor pranë lumit. Në terren është vendosur edhe një çadër e madhe e bardhë, ndërsa hetuesit kanë mbledhur gjurmë dhe kanë fotografuar dëshmi.
Sipas mediave franceze, rasti tashmë i është dorëzuar një njësie të specializuar për krimin e organizuar.