Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është ndërmarrë hapi i parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, përmes krijimit të një grupi punues që do të analizojë dhe propozojë modalitetet e funksionimit të këtij mekanizmi të ri të sigurisë.
Sveçla përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se Xhandarmëria do të funksionojë si agjencion në kuadër të Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe do të ketë rol të rëndësishëm në forcimin e arkitekturës së sigurisë së shtetit.
“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është bërë e ditur se ky mekanizëm do të angazhohet në mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.
Sveçla tha se Xhandarmëria e Republikës së Kosovës pritet të forcojë kapacitetet shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të Kosovës.
Njoftimi:
Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet.
Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cënojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë.