Izraeli ka kryer sulme të reja ajrore në jug dhe lindje të Liban, një ditë pasi një tjetër bombardim shkaktoi vdekjen e 11 personave, sipas autoriteteve libaneze.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit e cilësoi sulmin e së shtunës si “masakër”, duke bërë të ditur se mes viktimave ndodheshin gjashtë gra dhe një fëmijë. Po ashtu janë raportuar edhe nëntë të plagosur, mes tyre një fëmijë.
Sulmet e fundit janë regjistruar në zonat jugore dhe në rajonin e Bekaas në lindje të vendit. Sipas mediave libaneze, një pjesë e bombardimeve ndodhën pasi ushtria izraelite kërkoi evakuimin e 11 fshatrave në këto zona.
Izraeli vazhdon operacionet kundër objektivave që i konsideron të lidhura me Hezbollah, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill dhe që është zgjatur së fundmi.
Nga ana tjetër, Hezbollah raportoi se ka lëshuar raketa ndaj forcave izraelite që operojnë në territorin libanez.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se Izraeli është “i detyruar të veprojë me forcë” ndaj Hezbollahut, duke akuzuar grupin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Ndërkohë, mbrojtja civile libaneze njoftoi se një nga qendrat e saj në rajonin e Nabatieh është shkatërruar gjatë sulmeve të natës.
Në të njëjtën kohë, autoritetet libaneze kanë nisur bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin nën ndërmjetësimin e SHBA, ndërsa Hezbollah kundërshton këto negociata.