“Po e ndien humbjen” – Ish-deputetët e LVV-së reagojnë ndaj vendimit të Kurtit për biletat e diasporës
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 2 milionë eurove në formë subvencionesh për aviokompanitë, me qëllim lehtësimin e udhëtimeve dhe mbështetjen e lidhjeve ajrore, veçanërisht për diasporën.
Ky vendim ka nxitur reagime dhe debat në opinionin publik, ku një pjesë e kritikëve e shohin si masë të arsyeshme për lehtësimin e qarkullimit, ndërsa të tjerë e cilësojnë si politikisht të motivuar dhe të padrejtë ndaj sektorëve të tjerë ekonomikë që kërkojnë mbështetje shtetërore.
Humolli: Nëse LVV do t’i kishte votat, nuk do t’i ndante 2 milionë euro për diasporën
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e biletave të aviacionit për diasporën, duke e cilësuar këtë si përpjekje për përfitime politike para zgjedhjeve.
Humolli deklaroi se diaspora nuk mund të manipulohet nga partitë politike dhe se ajo e sheh situatën në Kosovë nga një këndvështrim tjetër krahasuar me qytetarët që jetojnë në vend.
“Diaspora nuk është e asnjë partie dhe nuk mundet me u manipulu dhe madje diaspora i sheh nga një kënd tjetër se sa ne këtu, por mënyra se si po i menaxhon Qeveria paratë, e kam përshtypjen se po e ndien rrezikun se qytetarët s’kanë me i votu dhe tash po mundohen në mënyra të ndryshme me i stimulu në favor të interesit partiak. Kjo nuk është e rastësishme dhe po të i dilnin votat LVV siç po pretendon nuk do i bënte këto”, ka deklaruar Humolli për FrontOnline, transmeton Periskopi.
Haki Abazi: Kurti po tenton të krijojë përçarje mes diasporës dhe qytetarëve
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, për FrontOnline ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e biletave të aviacionit për diasporën, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po tenton të krijojë përçarje mes qytetarëve në Kosovë dhe diasporës.
Abazi tha se ky vendim nuk ka për qëllim mbështetjen e diasporës, por nxitjen e tensioneve dhe mobilizimin politik përmes përçarjes.
“Unë mendoj se qëllim i Kurtit me vendimin për ndarjen e dy milion euro për bileta të aviacionit është me e thellu përçarjen, me u ngritë kundër dy milionëshit dhe me pas reagimin e një përçarje të re mes diasporës dhe popullit dhe kjo është metoda përçaj dhe sundo që po vazhdon me u ushqy si forma e vetme e Kurtit për me e nxitë mobilizimin qytetarë”, ka deklaruar Abazi.
Sipas tij, mënyra se si po trajtohen temat sociale dhe financiare nga Qeveria po përdoret për krijimin e ndasive në shoqëri, në funksion të interesave politike.
Shahini: Qeveria po shkel të drejtat ekonomike me subvencionimin e aviokompanive
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, për FrontOnline ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove për subvencionimin e biletave të aviacionit për diasporën, duke e cilësuar atë si të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për ekonominë vendore.
Shahini tha se ky vendim përbën shkelje të të drejtave ekonomike dhe biznesore, pasi sipas tij, po favorizohen kompani të huaja shërbyese, ndërkohë që prodhuesit vendorë janë lënë pa mbështetje edhe në periudhat më të vështira.
“Vendimi i Qeverisë për të ndarë dy milion euro për aviokompanitë, përpos se është i paarsyeshëm, është edhe shkelje e rëndë e të drejtave ekonomike dhe biznesore, ku selekton kompanitë shërbyese me ato prodhuese. Vetëm vitin e kaluar kompanitë prodhuese kanë dalë në rrugë për shkak të rritjes së rrymës dhe Qeveria nuk e ka pa të arsyeshme t’i subvencionojë prodhuesit vendorë”, deklaroi Shahini.
Ai shtoi se vendimi ka prapavijë politike dhe ngriti dyshime për mënyrën se si janë ndarë këto subvencione.
“Sot merr vendim që është politik dhe një ditë me siguri Prokuroria do merret me këtë çështje, se a ka nevojë Kosova t’iu ndajë kompanive të ndryshme të aviacionit subvencione për të qëndruar në tregun e Kosovës. Kosova nuk e ka asnjë kompani të aviacionit. Sikur ta kishte dhe ta mbështeste, do ishte në rregull, por këto janë kompani të huaja dhe dihet se kush përfiton nga këto”, u shpreh ai./Periskopi/