Nuk ka ligj për lojërat e fatit, paralajmërohen protesta

Mosmiratimi i ligjit për lojërat e fatit ka revoltuar Lëvizjen Anti-Bixhoz e cila tashmë po përgatitet për rifillimin e protestave. Nga kjo lëvizje thonë se kërkesa e tyre për dislokim të kazinove dhe bastoreve nuk është realizuar, ndërsa kryeministri dhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN refuzojnë të takohen. “Lëvizja Anti Bixhoz pas një afati kohor që e kërkuam nga qeveria për dislokim dhe mbyllje te kazinove dhe bastoreve rezultoi pa sukses pasi që gjatë fushatës premtuan mbyllje të të gjitha lojërave të fatit ku ne si Lëvizje besuam se do të ndodh një ndryshim, por në teren ndodhi e kundërta ku vazhdon të përkeqësohet situata dhe plaçkitja e shoqërisë në përgjithësi”, deklaroi Jushi Emërllahu, nga Lëvizja Anti-Bixhoz.

Ai më tej theksoi se me qëllim nuk sillet ligji për lojërat e fatit, sepse përfitimet e shtetit janë të mëdha. “Si Lëvizje Anti-Bixhoz nuk mund të amnistojmë asnjë qeveri që na rrjep çdo ditë në krye me kryeministrin Mickoskin kurse partitë shqiptare vazhdojnë të heshtin përballë krimit që na servohet për çdo ditë, pasi që Drejtoria për të Ardhura Publike në vitin 2024/25 ka marrë 2.8 miliardë euro, ndërsa këto të hyra në të kaluarën kanë qenë 1 miliardë euro. Kjo tregon se jemi shumë keq pasi që edhe pse është premtuar mbyllja e lojërave të fatit në vendbanime, tash del se këto objekte shtohen”, theksoi më tej Emërllahu.

Prandaj, sipas tij, kjo ka bërë që të organizojnë protesta në të gjithë shtetin.“I kemi dërguar kryeministrit nëntë emaile dhe përgjigje nuk kemi. Kemi kërkuar takim edhe me krerët e koalicion VLEN. Kërkesa kemi dërguar edhe tek Bilall Kasami edhe tek Izet Mexhiti për takim, por nuk kemi marrë përgjigje. Më herët na është thënë se ju duhet kohë, por koha po kalon dhe shohim se ligji nuk sillet. Ata gjatë tërë fushatës kanë thënë se do të mbyllin lojërat e fatit, por kjo nuk ndodhë. Prandaj, ne jemi duke u përgatitur për protesta në të gjithë shtetin”, tha Jushi Emërllahu nga Lëvizja Anti-Bixhoz.

Nga kjo lëvizje nënvizuan se deri më tani nuk kanë organizuar protesta për shkak se kanë pritur që të miratohet ligji, ndërsa theksuan se në opinion janë ngritur çështje tjera etnike, sikurse problemi me përdorimin e gjuhës shqipe që e ka zbehur problemin me lojërat e fatit. Ndryshe, Propozim-Ligji për lojërat e fatit me të cilin parashihet kazinot të mos lejohen pranë shkollave dhe universiteteve, është tërhequr nga procedua parlamentare. Thelbi i ndryshimeve definohet në nenin 24, sipas të cilit, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video lotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme. (koha.mk)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo