Dhjetëra mijëra nxënës dhe të rinj kanë dalë në rrugë në shumë qytete të Gjermanisë për të protestuar kundër mundësisë së rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Protestat u zhvilluan nën sloganin “Grevë shkollore kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak”, në një ditë që përkon edhe me përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në Berlin, policia raportoi rreth 1 200 pjesëmarrës që marshuan nga Porta e Brandenburgut drejt selisë së partisë konservatore të kancelarit Friedrich Merz. Organizatorët, ndërkohë, pretendojnë se numri i protestuesve ishte rreth 5 000. Në pankarta shkruheshin mesazhe si “Arsim në vend të bombave” dhe “Berlin në vend të vijave të frontit”.
Në Hamburg, situata ishte e ngjashme. Organizatorët flasin për rreth 6 000 pjesëmarrës, ndërsa policia ka numëruar rreth 2 300.
Këto nuk janë protestat e para në vend. Në fillim të marsit, rreth 50 000 të rinj morën pjesë në një tjetër grevë shkollore në afërsisht 150 qytete, duke kundërshtuar çdo formë rekrutimi të detyrueshëm.
Gjermania ka rikthyer një program shërbimi ushtarak vullnetar vitin e kaluar, në kuadër të rritjes së kapaciteteve të ushtrisë pas luftës në Ukrainë dhe kërkesave të reja të NATO-s.
Ligji aktual synon rekrutim vullnetar për zgjerimin e forcave të armatosura, por nëse nuk arrihen objektivat e caktuara, parlamenti mund të shqyrtojë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.