Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me atë se cilat investime i planifikon Qeveria në infrastrukturën hekurudhore dhe cilat janë pritshmëritë për to, deklaroi:
Vazhdojmë me realizimin e projektit “Hekurudhë e shpejtë, Korridori 10”, ndërsa studimi i fizibilitetit tashmë është drejt përfundimit. Studimi për ndikimin në mjedisin jetësor gjithashtu është drejt përfundimit. Sigurisht, ekziston afat ligjor i përcaktuar prej 270 ditësh. Pres që diku këtë verë, në qershor ose korrik, t’i mbyllim plotësisht këto çështje, sepse është i nevojshëm edhe një revizion i atyre studimeve. Dhe pasi gjithçka të përfundojë, do të hyjmë në procesin e nënshkrimit të marrëveshjes për financuesin potencial të atij projekti.
Edhe pse Ministria e Financave tashmë ka shpallur thirrje ndërkombëtare. Kemi ofertë indikative, jo detyruese nga një ofrues potencialisht më i mirë, i cili, sigurisht, duhet t’i dëshmojë kushtet që i ka dhënë atëherë. Dhe nëse gjithçka shkon siç duhet, pres që në fillim të vitit të ardhshëm të nisë realizimi i këtij projekti.
“Gjithashtu edhe Korridori 8 vazhdon të realizohet. Aktualisht është duke u zhvilluar segmenti Kumanovë – Pika kufitare me Bullgarinë. U hap tuneli i fundit nga seksioni i dytë, ndërsa i pari deri në Beljakovcë tashmë është vënë në funksion. Dhe, sigurisht, tashmë po negociojmë me Komisionin Evropian dhe mjetet janë siguruar në kuadër të “Planit për rritje” , për modernizimin e hekurudhës nga Shkupi deri në Kërçovë, pra elektrifikimin e saj dhe ndërrimin e shinave.
Kështu që ky projekt po realizohet me dinamikë të pazvogëluar. Unë pres që të përmbyllet plotësisht nga Kërçova, praktikisht deri në kufirin me Bullgarinë, më së voni deri në vitin 2029–2030.”