Mickoski në manifestimin “80 vjet maqedonas në Vojvodinë”: Populli i cili e ruan gjuhën dhe rrënjët e veta, gjithmonë ka të ardhme

Të nderuar nikoqirë, të nderuar përfaqësues të Republikës së Serbisë, të nderuar përfaqësues të shoqatave maqedonase, veprimtarë të kulturës, klerikë, profesorë, artistë,

të dashur vëllezër dhe motra maqedonas,

zonja dhe zotërinj,

Ka jubile që nuk janë vetëm një kujtesë e së kaluarës, por një dëshmi për qëndrueshmërinë, dinjitetin dhe forcën shpirtërore të një populli që ka arritur t’i ruajë rrënjët e veta edhe kur jeta e ka çuar larg pragut të lindjes. Ka jubile që nuk maten vetëm me vite, por me fate njerëzish, me kujtime, me sakrifica të heshtura, me shpresa, me shtëpi të krijuara dhe me breza njerëzish që kanë arritur të ndërtojnë një jetë të re pa hequr dorë nga emri, gjuha dhe identiteti i tyre.

Sot jemi mbledhur në Novi Sad, në zemët të Vojvodinës, për të shënuar një jubile të madh, të rëndësishëm dhe thellësisht emocional – tetëdhjetë vjet nga vendosja dhe jeta e organizuar e maqedonasve në Vojvodinë, në Republikën e Serbisë.

Tetë dekada të mbushura me histori njerëzore, me mund, me punë, me krijim, me shpresë dhe dinjitet. Tetëdhjetë vjet gjatë të cilave mijëra maqedonas, duke mbajtur në zemër kujtimet e vendlindjeve të tyre, arritën të ndërtojnë një jetë të re pa e humbur atë që është më e çmuara dhe që nuk mund të blihet e as të zëvendësohet – emrin e tyre, gjuhën amtare, këngën e tyre, traditën dhe ndjenjën e përkatësisë ndaj popullit të vet.

Kur sot flasim për vendosjen e maqedonasve në Vojvodinë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk flasim për shifra, as për procese administrative dhe statistika historike. Flasim për njerëz që u nisën drejt së panjohurës me besimin se e ardhmja mund të ishte më e mirë; për njerëz që ndoshta nuk kishin shumë pasuri materiale, por zotëronin diçka shumë më të rëndësishme dhe më të fuqishme – vullnet, dëshirë për punë, karakter dhe një besim të thellë në jetë dhe në të ardhmen e familjeve të tyre.

Ato gjenerata nuk erdhën këtu për të qenë vetëm dëshmitarë të heshtur të kohës, por për të krijuar, për të ndërtuar shtëpi e vatra, për të ngritur familje, për të hapur shkolla, punishte, shoqeata kulturore, biznese dhe horizonte të reja jetësore, duke lënë pas gjurmë që sot janë thellësisht të ndërthurura në zhvillimin dhe jetën e Vojvodinës.

Dhe pikërisht për këtë arsye, kur sot flasim për tetëdhjetë vjet maqedonas në Vojvodinë, ne flasim edhe për tetëdhjetë vjet kontribut në bujqësi, në ekonomi, në shkencë, në kulturë, në arsim, në jetën publike dhe në solidaritetin e përditshëm njerëzor që është ndërtuar nga njerëz me punën, ndershmërinë dhe dinjitetin e tyre.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Novi Sadi dhe Vojvodina kanë qenë gjithmonë një hapësirë ku dallimet nuk kanë qënë dobësi, por si pasuri, një hapësirë ku popujt nuk kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga identiteti i tyre për të jetuar së bashku, por përkundrazi, përmes respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, kanë krijuar një mozaik kulturash, gjuhësh dhe traditash që sot përbën një nga pasuritë më të mëdha të kësaj pjese të Evropës.

Në këtë histori, maqedonasit e kanë vendin e tyre të ndershëm, të merituar dhe dinjitoz.

Por më lejoni sot të them diçka shumë më të rëndësishme. Identiteti nuk ruhet vetvetiu. Gjuha nuk mbijeton vetvetiu. Tradita nuk përcillet pa dashuri, pa përkushtim dhe pa punë të vetëdijshme. Që një emër të ruhet për tetë dekada, duhen breza njerëzish që refuzojnë të harrojnë, duhen nëna dhe baballarë që në shtëpi e flasin gjuhën amtare, duhen mësues, punonjës kulturor, klerikë, njerëz që organizojnë festivale folklorike, mbrëmje letrare, ekspozita, akademi dhe shkolla, por mbi të gjitha njerëz që e kuptojnë se një popull pa kulturë është një popull pa kujtesë, ndërsa një popull pa kujtesë mund ta humbasë lehtësisht edhe drejtimin e vet.

Bllazhe Koneski dikur ka shkruar: “Gjuha është atdheu ynë i vetëm i plotë.” Një e vërtetë e thellë, veçanërisht për komunitetet që jetojnë jashtë vendit të tyre amë. Sepse atje, larg pragut të lindjes, gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por bëhet urë me paraardhësit, bëhet shtëpi, bëhet kujtim, bëhet një hapësirë shpirtërore ku njeriu e gjen sërish veten.

Prandaj sot dua t’u shpreh mirënjohjen time të sinqertë të gjitha organizatave maqedonase, shoqërive kulturore, intelektualëve, mësuesve, aktivistëve, klerikëve dhe familjeve që për tetë dekada e kanë ruajtur fjalën maqedonase në Serbi dhe në Vojvodinë, sepse puna e tyre nuk është thjesht një aktivitet organizativ, por një mision historik dhe një betejë e qetë, por e madhe, për ruajtjen e vazhdimësisë shpirtërore të popullit tonë.

Të nderuar vëllezër dhe motra,

Maqedonasit dhe serbët nuk i lidh vetëm afërsia gjeografike dhe historia. Na lidhin vlerat, spiritualiteti, respekti për familjen, ndjenja për lirisë dhe nevoja njerëzore që njeriu të mbetet vetvetja, duke respektuar njëkohësisht tjetrin.

I madhi Ivo Andriq ka shkruar: “Urat janë më të rëndësishme se shtëpitë.”

Nëse ka diçka që përfaqëson një urë të gjallë ndërmjet popujve tanë, atëherë jeni pikërisht ju – maqedonasit në Serbi. Ju jeni dëshmia e gjallë se afërsia dhe përkatësia nuk krijohen me deklarata dhe fjalë formale, por me jetë, me besim, me njerëzi dhe me respekt të ndërsjellë që është ndërtuar brez pas brezi.

Prandaj sot, nga kjo akademi solemne në Novi Sad, dua të shpreh një falënderim të sinqertë ndaj Republikës së Serbisë, ndaj institucioneve të saj, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve që për dekada me radhë kanë kontribuar që komuniteti maqedonas këtu të jetojë me dinjitet, lirshëm dhe me të drejtën për ta kultivuar identitetin, gjuhën dhe kulturën e vet.

Të nderuar miq,

Në një kohë ndryshimesh të shpejta, kufijsh të hapur, migrimesh, teknologjish dhe një botë që çdo ditë bëhet gjithnjë e më e vogël, çështja e identitetit bëhet edhe më e rëndësishme dhe më thelbësore.

Çfarë është ajo që njeriu e bart me vete pavarësisht se ku jeton?

A është shtëpia vetëm gjeografi?

A është përkatësia vetëm vendi i lindjes?

Apo ndoshta shtëpina e vërtetë njeriut gjendet në gjuhën, kujtimet, kulturën dhe tregimet që na kanë lënë prindërit dhe paraardhësit tanë?

Goran Stefanovski ka thënë: “Njeriu pa histori është njeri pa hije.”

Dhe historia juaj nuk është vetëm një histori vendosjes këtu para tetë dekadash. Është një histori për rrezistencën, punën, dinjitetin dhe për njerëz që arritën të ndërtojnë një shtëpi të re pa e humbur hijen e tyre, pa e humbur gjuhën, këngën dhe kujtesën për atë se kush janë dhe prej nga vijnë.

Për një kohë të gjatë, Ballkani në botë është paraqitur përmes etiketave të rënda, si “fuçi baruti”, si hapësirë e ndarjeve të përhershme dhe, më falni për shprehjen, si një “Ballkan i egër”.

Por ne që jetojmë këtu e dimë më së miri se Ballkani është shumë më tepër se kaq. Ai është një hapësirë kujtimesh të thella, kulturash, gjuhësh, spiritualiteti dhe fatesh njerëzore, një vend ku popujt kanë mësuar edhe të vuajnë, edhe të krijojnë, edhe të ndahen, por edhe të gjejnë sërish mënyra për të jetuar pranë njëri-tjetrit.

Ballkani mban mend edhe histori të ndryshme nga kjo këtu. Histori të shteteve që nuk i njohin pakicat dhe ku, edhe në shekullin XXI, pjesë të popujve ende luftojnë për të drejtat themelore njerëzore. Shembuj të tillë tregojnë se jo të gjithë janë pjekur mjaftueshëm, pavarësisht epiteteve, anëtarësimeve në organizata apo madhësisë së shteteve.

Dhe ndoshta pikërisht në këto histori njerëzish gjendet përgjigjja e vërtetë ndaj të gjitha paraqitjeve të thjeshtuara për Ballkanin – jo te ndarjet dhe stereotipet, por te njerëzit që dinë të ndërtojnë ura pa i rrënuar rrënjët e tyre dhe që kuptojnë se përkatësia nuk nënkupton përjashtimin e tjetrit, por siguri në identitetin e vet.

Historia na mëson një të vërtetë të thjeshtë, por të thellë – popujt nuk mbijetojnë vetëm përmes institucioneve, territoreve apo sistemeve politike, por mbi të gjitha përmes kujtesës, përmes gjuhës, kulturës dhe vlerave që i përcjellin nga brezi në brez.

Të dashur miq,

Historia juaj është dëshmi se njeriu mund të jetojë larg vendlindjes, ndërsa zemra e tij vazhdon të rrahë në ritmin e gjuhës amtare, se mund të krijojë një shtëpi të re pa e harruar të vjetrën dhe se mund të jetë qytetar besnik i shtetit ku jeton, duke mbetur njëkohësisht rojtar dinjitoz i identitetit të vet kombëtar dhe kulturor.

Unë e shfrytëzoj këtë rast për t’ju falënderuar.

Ky ekuilibër, kjo aftësi për të qenë vetvetja dhe njëkohësisht i hapur ndaj tjetrit, përbën një vlerë të madhe dhe një mësim të rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Evropën dhe botën.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Maqedoninë dhe Serbinë nuk i lidhin vetëm marrëdhëniet politike dhe shtetërore. Na lidhin njerëzit, brezat që janë rritur në të njëjtat hapësira kulturore dhe shpirtërore, këngët që i njohim, librat që kemi lexuar dhe vlerat me të cilat jemi edukuar. Na lidh ndjenja për familjen, nderin, njerëzinë dhe dinjitetin, por edhe një e vërtetë e thellë historike – se Ballkani nuk përparon kur popujt largohen nga njëri-tjetri, ai përparon kur ndërtojnë besim, respekt të ndërsjellë dhe partneritet të sinqertë.

Në një kohë kur bota po përballet me ndarje të reja, pasiguri të reja dhe tensione të reja gjeopolitike, popujt tanë kanë obligim të ndërtojnë ura e jo mure, të ruajnë afërsinë e krijuar ndër breza dhe ta përcjellin atë si vlerë tek gjeneratat e ardhshme.

Koço Racin ka shkruar: “Njeriu është më i fortë kur është me njeriun.”

Në këtë fjali të thjeshtë fshihet një urtësi e madhe jetësore. Asnjë popull nuk është bërë i madh përmes urrejtjes dhe asnjë shoqëri nuk ka përparuar përmes ndarjeve. Përparimi gjithmonë është ndërtuar përmes dijes, punës, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë.

Prandaj sot, nga Novi Sadi, dërgojmë një mesazh bashkimi, një mesazh respekti dhe miqësie, një mesazh se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi atë që na bashkon, e jo mbi atë që na ndan.

Sot dua t’u drejtohem veçanërisht të rinjve maqedonas në Serbi, të rinjve në Novi Sad, Pançevë, Jabukë, Kaçarevë, Zrenjanin, Beograd, Vranje, Nish, Leskovc dhe kudo ku jeton komuniteti ynë.

Ju jeni gjenerata e kohës së re, gjenerata e teknologjisë, e lëvizshmërisë dhe e sfidave globale, por pikërisht në një kohë të tillë bëhet edhe më e rëndësishme vetëdija për rrënjët tuaja. Mos lejoni që koha moderne t’jua marrë kujtesën dhe që ritmi i shpejtë i jetës t’jua fshijë ndjenjën e përkatësisë.

Duhet të jeni bashkëkohorë, të suksesshëm dhe të arsimuar, të pushtoni universitete, kompani, institucione dhe skena kulturore, por kurrë mos harroni se cila gjuhë ju mësoi fjalën e parë, cilën këngë jua kënduan prindërit tuaj dhe cilat tregime jua rrëfyen gjyshet dhe gjyshërit tuaj.

Bllazhe Koneski na paralajmëronte se “në gjuhën është fati ynë”, sepse gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe kujtesë, kulturë dhe një shtëpi shpirtërore që njeriu e bart me vete kudo që jeton.

Sot nuk jemi këtu vetëm për t’iu kthyer së kaluarës. Jemi këtu edhe për t’u përkulur para brezave që erdhën këtu me besim për një jetë më të mirë, para njerëzve që me duart e tyre punuan tokën, ndërtuan shtëpi, ngritën familje dhe nuk lejuan të heshtej kënga maqedonase e as të zhdukej fjala maqedonase.

Le të jetë kjo akademi një homazh për veprën e tyre, një falënderim për sakrificën e tyre dhe një mirënjohje për dashurinë e tyre ndaj rrënjëve, por edhe një amanet për brezat e rinj se përkatësia nuk është barrë, por dinjitet, se identiteti nuk është e shkuar, por forcë për të ardhmen, dhe se njeriu mund të jetojë kudo në botë, e megjithatë ta mbajë me krenari emrin, gjuhën dhe traditën e vet.

Maqedonia ju ndien si të vetët.

Maqedonia krenohet me ju.

Me punën tuaj, me përkushtimin tuaj, me qendrueshmërinë tuaj dhe me mënyrën se si për tetë dekada keni arritur të jeni një urë e gjallë mes popujve tanë.

Prandaj sonte, nga kjo akademi solemne në Novi Sad, le të dërgojmë një mesazh që do të mbetet shumë më gjatë se kjo mbrëmje dhe shumë më gjatë se ky jubile – mesazhin se populli që i ruan rrënjët e veta nuk humbet kurrë; se populli që e ruan gjuhën e vet nuk mbetet kurrë pa shtëpi; dhe se populli që e ruan kulturën e vet do të ketë gjithmonë të ardhme.

Le të dërgojmë mesazhin se afërsia njerëzore është më e fortë se ndarjet, se kultura është më e fortë se harresa dhe se identiteti nuk ruhet vetëm me fjalë, por me jetë, me dashuri dhe me përcjelljen dinjitoze të vlerave nga brezi në brez.

Dhe kudo që jetojnë maqedonasit – në Maqedoni, në Serbi, në Evropë apo kudo në botë – ata mbeten pjesë e një familjeje të madhe shpirtërore, historike dhe kulturore që qëndron, kujton dhe mbijeton.

Qoftë i përjetshëm kujtimi, vepra dhe mundi i brezave të maqedonasve që shkruan këtë histori tetëdhjetëvjeçare në Vojvodinë.

Qoftë e përjetshme afërsia mes popujve tanë.

Rroftë bashkëjetesa, respekti dhe miqësia.

Dhe qoftë çdo brez i ardhshëm maqedonasish në Vojvodinë edhe më i fortë, edhe më i arsimuar, edhe më dinjitoz dhe edhe më krenar për rrënjët e veta, sepse populli që e di se kush është, që kujton dhe që ruan, nuk mund të jetë kurrë i vogël.

Ju faleminderit nga zemra.

Paçi jetë e shëndet.

Zoti e bekoftë Serbinë.

Zoti e bekoftë Maqedoninë tonë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo