Mesazhe të fuqishme nga Konferenca Rajonale në Shkup: Njerëzit në qendër të qëndrueshmërisë demografike

Maqedonia e Veriut ishte mikpritëse e Konferencës Rajonale Ministrore dyditore – “Udhëheqja e ndryshimeve: Rrugët drejt qëndrueshmërisë demografike në përputhje me nevojat e njerëzve”, e organizuar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve e Maqedonisë së Veriut, në partneritet me Fondin e Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA).

Shkupi mblodhi ministra, përfaqësues të lartë qeveritarë, ekspertë ndërkombëtarë nga rreth 30 vende, si dhe përfaqësues të OKB-së, të Këshillit të Evropës, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Fokusi qendror i Konferencës ishte zhvillimi i përgjigjeve të përbashkëta ndaj transformimeve të thella demografike që po e formësojnë rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Konferencës i dha mbështetje dhe kontribut edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, i cili e hapi zyrtarisht Konferencën ditën e dytë dhe dha mesazhe të forta për përkushtimin e shtetit në ndërtimin e qëndrueshmërisë demografike.

“Qasja jonë duhet të jetë e orientuar drejt shfrytëzimit të plotë të potencialit të popullsisë, përmes investimit në kapitalin njerëzor, krijimit të mundësive reale për të rinjtë, fuqizimit të rolit të grave dhe garantimit të kushteve dinjitoze për të gjitha kategoritë e shoqërisë. Demografia në thelb përfaqëson çështje të besimit në të ardhmen” – theksoi Gashi.

Pio Smit, Ndihmëssekretar i Përgjithshëm dhe Zëvendësdrejtor Ekzekutiv (UNFPA) theksoi:

“Imperativi i kësaj Konference është i qartë: duhet të veprojmë tani për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme. Ta shndërrojmë vizionin tonë të përbashkët për një të ardhme demografikisht të qëndrueshme në politika konkrete dhe të zbatueshme për mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe sociale.”

Në një nga panel-diskutimet foli edhe Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i cili u ndal te përgatitja e dokumentit strategjik për diasporën:

“Maqedonia po përgatit Strategjinë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën 2025–2030. Strategjia bazohet në dëgjimin e diasporës dhe fokusohet në fusha si shërbimet konsullore dhe sociale, arsimi, kultura, turizmi, bashkëpunimi ekonomik dhe investimet. Roli i transformimit digjital në këtë bashkëpunim është i qartë: duhet ta bëjmë shtetin të qasshëm ngado ku jetojnë qytetarët tanë” – tha Andonovski.

Fjalën përmbyllëse të Konferencës dyditore e mbajti ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, i cili shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit që dhanë kontributin dhe mbështetjen e tyre në këtë ngjarje, si dhe për ekipet organizative, të cilat me profesionalizmin e tyre mundësuan realizimin e kësaj Konference.

“Gjatë këtyre dy ditëve kemi vërtetuar se, pavarësisht dallimeve tona, të gjithëve na bashkon një qëllim i përbashkët – ndërtimi i shoqërive demografikisht të qëndrueshme. Ndryshimet demografike nuk janë sfidë e një shteti të vetëm, por përgjegjësi e përbashkët që kërkon politika afatgjata, të koordinuara dhe gjithëpërfshirëse.”

“Përfundimi i përbashkët është i qartë: në qendër të të gjitha politikave duhet të jenë njerëzit, të drejtat e tyre, dinjiteti dhe mundësitë. Jam i bindur se kjo Konferencë nuk është fundi i diskutimit, por fillimi i bashkëpunimit edhe më të fuqishëm rajonal. Maqedonia e Veriut mbetet partner i përkushtuar në këtë proces dhe e gatshme të kontribuojë aktivisht në iniciativat që do të ndihmojnë në përballimin e sfidave demografike dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë demografik” – përfundoi Fatmir Limani.

Konferenca Rajonale e mbajtur në Shkup shërbeu si platformë ku pjesëmarrësit diskutuan mbi udhërrëfyesin e politikave të nevojshme për ndërtimin e shoqërive dhe ekonomive të forta, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, të afta të kuptojnë dhe parashikojnë ndryshimet në popullsi, të përshtaten me realitetet e reja, si dhe të shfrytëzojnë maksimalisht resursin e tyre më të madh – njerëzit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo