MASH: Ndryshimet demografike kërkojnë optimizim të rrjetit shkollor dhe mobilitet të kuadrit mësimor për arsim më cilësor

Ndryshimet demografike kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të thellë në arsim. Gjatë dy dekadave të fundit, Maqedonia është përballur me ulje të shkallës së natalitetit, emigrimit, plakjes së popullsisë dhe pabarazis së theksuara rajonale. Kjo rezultoi me uljen e numrit të nxënësve dhe proporcion jo adekuat me numrin e mësimdhënësve. Për më tepër, dy të tretat e të gjitha objekteve shkollore janë shkolla rajonale, por në to mësojnë vetëm 12% e numrit të përgjithshëm të nxënësve, theksoi Elena Ivanovska, sekretare shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në panel-diskutimin me temë: “ Politika që i inkurajojnë njerëzit”, në kuadër të Konferencës Rajonale Ministrore për Qëndrueshmëri Demografike.

Ndryshimet demografike janë në bazë të optimizimit të rrjetit shkollor, i cili duhet të sigurojë përdorim më të mirë dhe më të drejtë të burimeve, me qëllim të qartë: mësim cilësor sipas standardeve, me kuadër të përshtatshëm mësimor, hapësira dhe pajisje për çdo fëmijë, pavarësisht se ku jeton.

Ivanovska sqaroi se në zonat rurale, në rreth 100 objekte shkollore mësojnë më pak se 5 nxënës. Në kushte të tilla, cilësia e mësimdhënies, socializimi dhe qasja në shërbime janë të ku-fizuara seriozisht.

Për ta përmirësuar këtë gjendje, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndërmerr një sërë aktivitetesh strategjike për harmonizimin e rrjetit shkollor, duke forcuar njëkohësisht rezultatet e të mësuarit barazinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë. Në fokus të kësaj qasjeje është agjenda gjithëpërfshirëse reformuese që ka ndryshuar modelin e financimit të arsimit, me qëllim përshtatjen më të mirë të financimit me trendet demografike.

“Përgjigjja institucionale vendos theks të fortë në planifikim më të mirë të nevojave, mobilitet të kuadrit mësimor, kualifikim dhe rikualifikim, si dhe shfrytëzimin e daljes natyrore nga sistemi përmes pensionimit, në vend të zgjidhjeve të menjëhershme dhe të paplanifikuara. Këto elemente janë kyçe për të siguruar që përshtatja e burimeve njerëzore të mbështesë cilësinë e arsimit dhe stabilitetin e sistemit, në vend që t’i rrezikojë ato”, theksoi Ivanovska.

Mësimi me një turn, zgjatja e ditës shkollore dhe zhvillimi i aktiviteteve jashtë mësimore si dhe mbështetja me tutorim për nxënësit me arritje më të ulëta dhe asistenca arsimore për fëmijët me vështirësi, synojnë përmirësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve, dhe me këtë forcimin e kapitalit njerëzor, që është përgjigje thelbësore ndaj sfidave demografike.

Ivanovska theksoi edhe një nevojë tjetër kyçe: zgjerimin e përfshirjes në arsimin parashkollor, e cila sot është rreth 42%, ndërsa qëllimi kombëtar dhe evropian është 96%.

“Për këtë arsye, po shqyrtohen mundësitë për rikualifikimin dhe rishpërndarjen e një pjese të kuadrit mësimor nga arsimi fillor në arsimin e hershëm të fëmijërisë, ku nevojat janë më të mëdha dhe kthimi i investimeve është më i lartë. Në këtë mënyrë, sfidat demografike nuk trajtohen si kërcënim, por si mundësi për planifikim më të zgjuar, përdorim më të mirë të burimeve dhe investime në fazën më të hershme dhe më të leverdishme të zhvillimit njerëzor”, u shpreh Ivanovska.

Optimizimi i rrjetit shkollor, politika e zgjuar e kuadrove dhe arsimi cilësor, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nuk janë reforma teknike, por themel për një shoqëri të bazuar në dije dhe inovacion.

MASH: Ndryshimet demografike kërkojnë optimizim të rrjetit shkollor dhe mobilitet të kuadrit mësimor për arsim më cilësor

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo