Kurti s’u përgjigjet pretendimeve të Osmanit për “takimin e fshehtë” me Vuçiqin e Lajçakun





Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk u është përgjigjur pretendimeve të ish-presidentes Vjosa Osmani se ai bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ish-ndërmjetësin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar takim disaorësh për të cilën publiku nuk di asgjë.

Teksa vendosi gurthemelin e Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës të enjten, Kurti u shpreh se “duhet të shkojmë me shpejtësi në Ferizaj” kur u pyet për deklaratat e Osmanit.

Osmani, që do të jetë bartëse e listës e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet 7 qershorit, në një tubim gjatë ditës së djeshme në lagjen “Dardania” të Prishtinës, hodhi akuza për Kurtin, duke thënë se kishte mbajtur takim disaorësh në një dhomë me Vuçiqin e Lajçakun e për të cilin nuk e ka njoftuar publikun.
Ajo iu përgjigj edhe akuzave që i kanë ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje për “takime të dyshimta” me ish-të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun, Richard Grenell, ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq e kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Osmani u shpreh se ky takim ka qenë publik dhe kanë qenë të ftuar edhe dhjetëra personalitete të tjera.
“Sot, e një vit pas, po më thonë: ‘Çfarë ke folur ti aty?’ Pyetja nuk është çka kam folur unë në një takim që ka qenë publik me dhjetëra njerëz. Pyetja është çka ka folur ai veç me Vuçiqin dhe Lajçakun në një dhomë. Kerkush tjetër nuk ka qenë aty. Çka ka folur, a e dini ju? As unë se di. Presidente e Republikës, por s’më kanë treguar çka kanë folur. Parlamentin e keni pasur. A ju ka treguar juve si opozitë ndonjëherë? Kurrë. A nuk mendoni që e kanë detyrim me dalë para qytetarëve? Në një dhomë me presidentin e Serbisë dhe ai Lajçaku-Epsteini. Unë e kam transkriptin e asaj që kam diskutuar dhe incizimin do ta publikojë. Por në parlamentin e ardhshëm do të kërkoj komision hetimor parlamentar për të kuptuar çka kanë diskutuar ata”, ka thënë ajo.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo