Një konflikt për një vajzë dyshohet se qëndron pas të shtënave dhe përplasjes së dhunshme që tronditi Mogliano Veneto në Itali në muajin nëntor të vitit të kaluar.
Sipas mediave italiane, dy vëllezër me origjinë shqiptare, banues në Mestre, janë arrestuar nga autoritetet italiane, ndërsa një person i tretë pritet të dalë para gjykatës për t’u njohur me masat e sigurisë.
Hetimet e Karabinierëve të Trevisos zbuluan se në qendër të konfliktit ishte një vajzë e re me origjinë moldave, për të cilën dy burra shqiptarë kishin hyrë në përplasje.
Ngjarja ndodhi më 10 nëntor në Via Italo Svevo, pranë një shkolle të mesme në Mogliano Veneto, ku dy grupet shqiptare ishin takuar për të “larë hesapet”.
Sipas autoriteteve italiane, përplasja degjeneroi në përdorimin e thikave dhe armëve të zjarrit. Gjatë konfliktit u qëllua disa herë me armë, ndërsa plumbat goditën edhe automjete të parkuara në zonë.
Një 34-vjeçar i pastrehë mbeti i plagosur rëndë me thikë dhe më pas u arrestua për të shtënat me armë zjarri. Mediat italiane raportojnë se ai është dënuar tashmë.
Po ashtu, një 35-vjeçar nga Mestre u plagos në gjoks, ndërsa një tjetër shqiptar 35-vjeçar pësoi plagë të shumta në gjymtyrë dhe në pjesën e brinjëve.
Operacioni i Karabinierëve, i koordinuar nga Prokuroria e Trevisos, çoi në arrestimin e një shqiptari 31-vjeçar, i cili u vendos në arrest shtëpie me byzylyk elektronik, si dhe të një 22-vjeçari që u dërgua në burg.
Të dyshuarit përballen me akuza për përleshje të rënduar, tentativë vrasjeje dhe posedim të paligjshëm armësh.