Izet Mexhiti: Bashkimi i opozitës shqiptare theu monopolin e BDI-së

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, në një intervistë për TVM1 ka deklaruar se për herë të parë në kampusin politik shqiptar po ndodh bashkimi, duke theksuar se kjo u arrit pasi opozita në zgjedhjet e fundit parlamentare theu monopolin e quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim.

Sipas tij, ky zhvillim ka sjellë konkurrencë reale dhe faktorizim të votës shqiptare.

“Këtë e bëmë në zgjedhjet e fundit parlamentare që dolën me sukses, edhe më herët ka mundur të ndodhë që shqiptarët të votonin anti-BDI, por opozita ishte e ndarë. E dëshmuam edhe në zgjedhjet lokale, dolëm jashtë si VLEN me kandidatë të pavarur me Mendi Qyrën në Strugë. Pra ka sinkronizim, vendosëm se është më mirë të jemi një subjekt politik që në të ardhmen të mund të ketë një Njësi zgjedhore”, ka thënë Izet Mexhiti.

Ai shtoi se VLEN do të ketë një forcë më të madhe absorbuese për anëtarë të pavarur nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe për qytetarë neutralë.

“Dhe rezultatet do të jenë më të mira”, ka theksuar ai.

Modeli me bashkëkryetarë dhe raportet me VMRO-në

Duke folur për modelin organizativ, Mexhiti vlerësoi se struktura me bashkëkryetarë është një përparësi për VLEN-in.

“Nga 5-6 shkojmë në bashkëkryetarë, është përparësi, kjo funksionon në shtete jashtë si Gjermani e shtetet skandinave me sukses. Ka edhe në Kosovë, është Lëvizja ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit, ashtuqë kjo është risi përmes VLEN në skenën politike në vend”, deklaroi Izet Mexhiti.

Ai shtoi se marrëveshjet e brendshme nuk janë ndërtuar mbi kalkulime politike si në rastin e BDI-së, duke theksuar se VLEN pozicionohet si subjekt i qendrës së djathtë.

Sa i përket marrëdhënieve me VMRO-DPMNE, Mexhiti i cilësoi ato si korrekte.

“Janë korrekte, punojmë së bashku në projekte të përbashkëta. BDI duke mos pasur ide luajnë në kartën e legjitimitetit, pësuan debakël, mbetën me tre komuna rurale – Likovë, Çashkë e Pllasnicë. Qytetet kryesore janë të VLEN-it”, tha ai.

Ai shtoi se BDI po shmang zgjedhjet e parakohshme dhe po ndryshon strategjitë politike.

“Tani ikin nga zgjedhjet e parakohshme, i shihni anketat, tentuan të bëjnë koalicion multietnik që të fitojnë më shumë vota, prandaj u kthyen në kartën nacionale”, theksoi Mexhiti.

Gjithashtu, ai i bëri thirrje liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, për debat të hapur publik.

Eurointegrimet prioritet dhe shumica stabile

Në intervistë, Mexhiti foli edhe për prioritetet strategjike të VLEN-it, duke theksuar se eurointegrimet mbeten në krye të agjendës politike.

“Qytetarët në Maqedoninë e Veriut pa dallim përkatësisë nuk kanë alternativë tjetër pos Bashkimit Evropian. Ajo është në top prioritetet tona dhe nuk tërhiqemi nga ajo”, deklaroi Izet Mexhiti.

Ai shtoi se VLEN synon të jetë partner aktiv në procesin e integrimit, duke ecur paralelisht me vendet e rajonit drejt BE-së.

“Ofrohemi si partner ta shfrytëzojmë atë proces dhe të hapërojmë bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi në BE”, theksoi ai.

Në fund, Mexhiti nënvizoi se shumica parlamentare në vend mbetet e qëndrueshme.

“Shumica është stabile, bile edhe më shumë se sa është e nevojshme”, përfundoi Izet Mexhiti.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo