Një dron ka goditur çatinë e një ndërtese banimi në qytetin rumun Galaci (Galați) herët në mëngjesin e sotëm, duke plagosur lehtë dy persona. Droni ka goditur ndërtesën rreth orës 2:00 të mëngjesit, duke shkaktuar një zjarri në katin e dhjetë të saj, raportuan mediat rumune.
Në të njëjtën kohë, Rusia kishte nisur një sulm ndaj një qyteti fqinj ukrainas, njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.
Reagimi i NATO-s
Pasi droni rus goditi ndërtesën e banimit në qendër të qytetit Galaci, edhe NATO ka lëshuar një deklaratë zyrtare. Zëdhënësja e Aleancës, Alison Hart, deklaroi se Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune dhe se NATO e dënon ashpër “papërgjegjshmërinë ruse”.
Nga ky incident mbetën të plagosur lehtë një grua 51-vjeçare dhe një fëmijë 14-vjeçar, si dhe u evakuuan 70 banorë.
Ministria e Jashtme e Rumanisë: “Përshkallëzim serioz dhe i papërgjegjshëm”
Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë e vlerësoi incidentin në Galaci, ku droni u rrëzua dhe shpërtheu mbi bllokun e banimit, si një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse.
”Ky incident përbën një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse. Rumania do të ndërmarrë masat e nevojshme diplomatike si përgjigje ndaj kësaj shkeljeje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe të hapësirës së saj ajrore.
Rumania ka informuar shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, aleatët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për rrethanat e ngjarjes, si dhe ka kërkuar masa për të përshpejtuar transferimin e kapaciteteve kundër mbrojtjes nga dronët në Rumani. Federata Ruse mban përgjegjësi direkte për këto veprime serioze dhe të papërgjegjshme.
Rumania do të veprojë me vendosmërinë më të lartë për të rritur presionin ndërkombëtar ndaj Federatës Ruse, me qëllim që të arrihet një armëpushim i menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës”, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Toiu Oana.