Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Speciale për shtyrjen e shpalljes së vendimit edhe për dy muaj për ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka qasje në zhvillimet që ndodhin në këtë gjykatë.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për dy muaj, nëse s’gaboj, vendimi i tyre, ne e morëm vesh njësoj sikurse të gjithë ju, për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale”, deklaroi Kurti.
Ai kritikoi mungesën e transparencës së kësaj gjykate ndaj Kosovës.
“Gjykata Speciale nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë e në shërbim të të cilit thuhet se është”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se Kosova nuk ka nevojë për Gjykata Speciale, por për sistem të rregullt të drejtësisë.
“Edhe njëherë e theksoj, Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Ai përmendi edhe amendamentin kushtetues të vitit 2015, duke e cilësuar si një nga ditët më të rënda për Kosovën.
“Amandamentimi numër 24 i Kushtetutës më 3 gusht të vitit 2015 është një ndër ditët më të rënda të Kosovës të pavarur e të republikës tonë demokratike dhe të gjitha këto tash janë pasoja”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë përsëriti bindjen e tij për pafajësinë e ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të luftëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë që të mbahen në burg, padrejtësisht në Hagë”, deklaroi ai.
Paneli Gjyqësor i Dhomave të Specializuara ka nxjerrë një vendim për zgjatjen e afatit për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit edhe për 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik 2026, për shkak të kompleksitetit të çështjes.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.