Fakulteti Pedagogjik i UT-së pjesë e Konferencës së 8-të Ndërkombëtare në Durrës





Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës mori pjesë si partner në Konferencën e 8-të
Ndërkombëtare me temë “Shaping the Future: Education & Innovation in a Digital Society”, e
organizuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”- Durrës, përkatësisht nga Fakulteti i Edukimit, e
cila u mbajt më 29 dhe 30 prill në Durrës.
Konferenca u hap zyrtarisht me pjesëmarrjen e akademikëve, studiuesve dhe profesionistëve nga
vende të ndryshme, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim idesh dhe diskutim mbi
rolin e arsimit dhe inovacionit në epokën digjitale. Aktiviteti u përshëndet nga rektori i UAMD-së,
Shkëlqim Fortuzi, si dhe nga dekania e Fakultetit të Edukimit, Klodiana Leka, të cilët theksuan
rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe transformimit të arsimit përballë sfidave
bashkëkohore.
Në këtë ngjarje shkencore, Fakulteti Pedagogjik i UT-së u përfaqësua me punimin: “Games and
their role in learning mathematics in primary education classes”, nga autorët Prof. Dr. Besa Havziu-
Ismaili, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, Prof. Dr. Makfirete Ameti dhe Merita Ajdini, ku u trajtua roli i
lojës dhe gamifikimit në përvetësimin e koncepteve matematikore në arsimin fillor.
Po ashtu, Dr. sc. Ermira Tateshi prezantoi temën: “Down Syndrome, Refractive Errors and
Brushfield Spots: A Case Report”, duke sjellë në fokus çështje të rëndësishme që lidhen me
zhvillimin dhe trajtimin e fëmijëve me sindromën Down.
Njëkohësisht, një numër i konsiderueshëm i stafit akademik të Fakultetit Pedagogjik morën pjesë në
konferencë me prezantime në formë online, duke rritur prezencën dhe kontributin institucional në
këtë aktivitet ndërkombëtar.
Gjatë qëndrimit në Durrës, Prodekania për Arsim, Prof. Dr. Besa Havziu-Ismaili, së bashku me
Prof. Dr. Makfirete Ametin dhe Dr. Sc. Ermira Tateshin, zhvilluan një takim me dekanen Klodiana
Leka, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, zhvillimin e
projekteve të përbashkëta dhe organizimin e aktiviteteve të ardhshme akademike ndërmjet dy
institucioneve.
Pjesëmarrja në këtë konferencë dëshmon përkushtimin e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të
Tetovës për ndërkombëtarizim, shkëmbim përvojash dhe avancim të cilësisë në arsim, duke
kontribuar aktivisht në dialogun akademik dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme në
kontekstin global.

Fakulteti Pedagogjik i UT-së pjesë e Konferencës së 8-të Ndërkombëtare në Durrës

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo