Një erë e rëndë dhe e dyshuar si “helmuese” po shqetëson banorët e Komunës së Sarajit, të cilët raportojnë se gjatë gjithë ditës është përhapur një aromë e padurueshme në ajër.
Sipas dëshmive të qytetarëve, era është tejet e fortë dhe ka shkaktuar shqetësim të madh, duke ngritur frikë për pasoja të mundshme në shëndetin e tyre. Ata theksojnë se nuk dihet ende burimi i saktë i kësaj ndotjeje, ndërsa situata vazhdon të mbetet e paqartë.
Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, duke apeluar për kontrolle në terren dhe identifikimin e burimit të erës. Ata paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet shpejt, kjo mund të përbëjë rrezik serioz për shëndetin publik.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet, ndërsa qytetarët presin masa urgjente për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të garantuar ajër të pastër dhe të sigurt.