Nga Arian Galdini
Fjala ndryshim është një nga fjalët më të lodhura të politikës.
Nuk është lodhur sepse nuk duhet më. Është lodhur sepse është përdorur shumë herë pa çmimin e vetë moral.
Hyn në fushata si premtim dhe del prej tyre e konsumuar.
Vishet me fytyra të reja, me ngjyra të reja, me zëra më të butë, me fotografi më të pastra, me fjalë më europiane, me skena më të rregulluara.
Për disa javë duket sikur një vend po hyn në kohë tjetër.
Pastaj mbaron zhurma, njeriu kthehet te dera e zyrës, te paga, te fatura, te gjykata, te shkolla e fëmijës, te frika e vogël e përditshme, dhe kupton se shumëçka ka ndryshuar në pamje, por ajri ku rritet pushteti ka mbetur po ai.
Dhe ajri është më i vështirë për t’u ndryshuar se flamuri.
Çdo shoqëri ka dy shkolla.
Njëra është e dukshme.
Ka libra, mësues, tabela, provime, dëshmi, orare, programe.
Aty fëmija mëson gjuhë, numra, histori, rregulla, data, emra, ushtrime.
Aty një vend i thotë vetes se po përgatit të ardhmen.
Tjetra është e padukshme.
Nuk ka derë, as kambanë, as regjistër.
Nuk shpallet në kurrikul.
Nuk qëndron në mur me fotografi të mëdha. Megjithatë hyn më thellë se e para.
Ajo u mëson fëmijëve çfarë vlen vërtet në një vend, kush ecën përpara, kush mbetet jashtë, kush dëgjohet, kush përqeshet, kush shpërblehet, kush durohet, kush trembet, kush shitet dhe kush quhet i mençur vetëm pse ka mësuar të mos ketë turp.
Shkolla e vërtetë e një shoqërie nuk është vetëm ajo ku fëmija mëson çfarë duhet të dijë.
Është edhe ajo ku sheh çfarë shpërblehet.
Kjo shkollë e padukshme është ajri moral i një vendi.
Para se një vend të ketë pushtetin që meriton, ai ka ndërtuar shkollën e padukshme që ia mëson qytetarit çfarë vlen.
Para se një popull të sundohet nga njerëzit e gabuar, ai ka mësuar t’i shpërblejë arsyet që i bëjnë ata të mundur.
Para se hileja të bëhet pushtet, ajo është quajtur zgjuarsi.
Para se servilizmi të bëhet karrierë, ai është quajtur maturi.
Para se frika të bëhet sistem, ajo është quajtur kujdes.
Para se e padrejta të sundojë hapur, ajo është lejuar të fitojë në heshtje.
Në fund, një vend nuk zbulohet nga ceremonitë ku shpall virtytet e veta. Zbulohet nga ajo që lejon të fitojë.
Këtu fillon politika e vërtetë.
Jo në fjalimin e madh.
Jo në premtimin që kalon nga muri në ekran.
Jo në programin që shkruhet me kujdes dhe harrohet me lehtësi.
Politika fillon te gjëja që një shoqëri e bën të vlefshme pa e pranuar gjithmonë me zë.
Te njeriu që ngjitet sepse shërben, ose sepse di të përkulet.
Te paraja që ndriçohet, ose që mbetet në hije.
Te i ndershmi që mbahet si themel, ose përqeshet si naiv.
Te qytetari që dëgjohet, ose përdoret.
Te e vërteta që kushton, ose te gënjeshtra që paguhet.
Politika është shpesh morali i fshehtë i një vendi që ka marrë formë pushteti.
Kjo është më e rëndë se ndërrimi i qeverive.
Më e vështirë se ndërrimi i partive.
Më e thellë se çdo riformatim fushate.
Sepse njeriu që vjen në pushtet është shpesh pasojë e klimës që e ka ushqyer.
Nëse klima shpërblen frikën, do të ngjiten ata që dinë të trembin.
Nëse shpërblen paranë e errët, do të ngjiten ata që dinë të fshihen.
Nëse shpërblen servilizmin, do të ngjiten ata që dinë të përkulen para të fortit dhe të shkelin të dobëtin.
Nëse shpërblen integritetin, fillon një mundësi tjetër, pushteti detyrohet të kërkojë karakter.
Një vend nuk ndryshon kur ndërron njerëzit që ndjekin erën.
Ndryshon kur ndërron erën që u jep pushtet.
Shqipëria është një nga vendet ku ky ligj shihet me qartësi të dhimbshme.
Në këto mbi tri dekada e gjysëm, politikani shqiptar e ka nuhatur pushtetin më mirë se sa ka kuptuar Republikën.
Ka ditur ku fryn frika.
Ka ditur kur lodhet qytetari.
Ka ditur cilin ekran duhet ta mbajë pranë, cilën derë duhet ta mbyllë, cilin kundërshtar duhet ta ftojë në marrëveshje, cilën të vërtetë duhet ta shtyjë për më vonë, cilën fjalë europiane duhet ta përdorë për të zbukuruar një zakon ballkanik.
Ka ditur të ndërrojë aleat, rreshtim, gjuhë, fytyrë publike.
Shpesh nuk ka ditur, ose nuk ka dashur, të ndërrojë marrëdhënien me pushtetin.
Prandaj, sa herë na është premtuar era e ndryshimit, shpesh kemi marrë vetëm një lëvizje të ajrit mbi të njëjtën dhomë.
Problemi nuk ka qenë mungesa e fjalës ndryshim.
Problemi ka qenë mungesa e një ndryshimi që pranon të paguajë çmimin e vetë moral.
Çmimi është i thjeshtë për t’u thënë dhe i vështirë për t’u mbajtur, pushteti të mos vijë më nga frika, shteti të mos kuptohet më si pronë, qytetari të mos trajtohet si numër, varfëria të mos përdoret si zinxhir, administrata të mos jetë trup partie, media të mos jetë portë e ruajtur, drejtësia të mos jetë e fortë me të dobëtin dhe e kujdesshme me të fortin.
Ky është ajri politik.
Ai nuk shihet gjithmonë, por ndihet kudo. Ndihet në zyrën ku qytetari hyn i vogël.
Ndihet në punën që kërkon bindje përpara aftësisë.
Ndihet në shkollën ku dija lodhet përballë lidhjes.
Ndihet në gjykatën që njeriu i thjeshtë e sheh me frikë, ndërsa i forti e sheh si pengesë të përkohshme.
Ndihet në ekranin që e bën disa njerëz të përhershëm dhe disa të padukshëm.
Ndihet në fushatë, kur fjala liri qarkullon lirshëm, ndërsa burimet e vërteta të pushtetit mbeten në hije.
Nuk mjafton të thuash se do ndryshim në një ajër të tillë.
Duhet të ndryshosh ajrin.
Një fëmijë që sheh se i pandershmi ecën më shpejt se i drejti, nuk merr vetëm një informacion.
Merr një mësim mbi botën.
Një i ri që sheh se servilizmi hap më shumë dyer se dija, nuk humb vetëm besimin te politika.
Humb besimin te drejtësia e përpjekjes.
Një njeri që sheh se ndershmëria e lë jashtë dhe hileja e fut brenda, nuk mëson vetëm një taktikë.
Mëson një moral të shtrembër.
Kështu një vend e edukon veten edhe kur nuk e di se po e bën.
Kjo është shkolla e padukshme e një vendi.
Ajo nuk shkruhet në libra, por hyn në jetë më herët se shumë libra.
Mëson në mënyrën si hapet një derë.
Në mënyrën si jepet një punë.
Në mënyrën si hesht një institucion. Në mënyrën si vonon një gjykatë.
Në mënyrën si zgjidhet një kandidat.
Në mënyrën si ekrani e quan dikë të rëndësishëm para se qytetari ta dëgjojë.
Në mënyrën si një familje i thotë fëmijës, mëso, por mos u bëj budalla, ji i ndershëm, por shih edhe si ecën bota.
Aty prishet Republika, përpara se të prishet ligji.
Në Shqipërinë e vitit 2026, kjo nuk është më pyetje e largët.
Vendi është më pranë Europës në tryeza, raporte dhe konferenca.
Drejtësia e re nuk është më vetëm premtim reforme, por provë e përditshme përballë emrave të mëdhenj.
Zgjedhjet e fundit janë lexuar me fjalë të kujdesshme nga vëzhguesit, por edhe me plagë të përsëritura, polarizim, pabarazi, presion, burime publike, para politike, ndikim.
Çështja nuk është nëse kemi më shumë dokumente.
Çështja është nëse këto dokumente e pastrojnë vërtet ajrin ku jeton qytetari.
Europa nuk është zbukurim i fjalorit shtetëror.
Është provë e sjelljes së shtetit me njeriun e vetë.
Europa nuk fillon vetëm kur hapet një kapitull.
Fillon kur një qytetar nuk poshtërohet para një sporteli.
Kur drejtësia nuk trembet nga emri i madh. Kur administrata nuk i shërben partisë.
Kur zgjedhjet nuk zhvillohen mbi një klimë të pabarabartë.
Kur paraja politike nuk fshihet pas buzëqeshjes së fushatës.
Kur media nuk vendos paraprakisht kush është i mundshëm dhe kush duhet të mbetet jashtë dëgjimit.
Mjafton të shohësh ku ndalet drejtësia, ku errësohet paraja, ku mbyllet ekrani dhe ku trembet administrata, për të kuptuar nga fryn era e vërtetë e pushtetit.
Nëse drejtësia ndalet para pushtetit, era nuk ka ndryshuar.
Nëse zgjedhjet numërojnë vota, por ajri i garës mbetet i mbushur me frikë, varësi dhe para të padukshme, era nuk ka ndryshuar.
Nëse media shpall përpara qytetarit se kush meriton të shihet dhe kush duhet të mbetet i padukshëm, era nuk ka ndryshuar.
Nëse administrata lëviz si trup i heshtur politik, era nuk ka ndryshuar.
Sepse pushteti nuk lind vetëm ditën kur shpallet rezultati.
Ai lind më herët, në klimën ku qytetari mëson çfarë i leverdis, çfarë e rrezikon, çfarë i hap derë, çfarë e lë jashtë, cilën të vërtetë duhet ta thotë me zë të ulët dhe cilën gënjeshtër duhet ta durojë me fytyrë të qetë.
Çështja nuk është vetëm kush fiton.
Çështja është çfarë lloj njeriu prodhon mënyra jonë e të fituarit.
Prodhon qytetar që qëndron drejt, apo njeri që pret fituesin?
Prodhon të riun që hyn në jetën publike, apo të riun që kërkon biletën e largimit?
Prodhon profesionist që shërben, apo shërbëtor që bindet?
Prodhon politikë që jep llogari, apo pushtet që e quan llogaridhënien sulm?
Një vend nuk kalbet vetëm kur e sundojnë njerëz të këqij.
Kalbet kur nis të besojë se vetëm ata dinë të fitojnë.
Ky është dëmi më i madh.
Jo thjesht sundimi i të këqijve, por edukimi i shoqërisë me idenë se e keqja është rruga e vetme për të hyrë, për të fituar, për të mbijetuar, për të mos mbetur jashtë.
Atëherë i ndershmi nuk mposhtet vetëm nga pushteti, mposhtet nga bindja se ndershmëria e tij nuk ka vend.
I riu nuk largohet vetëm nga varfëria, largohet edhe nga mësimi i heshtur se talenti, pa përkulje, është i pambrojtur.
Qytetari nuk hesht vetëm nga frika, hesht sepse ka parë shumë herë se e vërteta nuk shpërblehet, ndërsa përshtatja po.
Një komb nuk mbaron kur lodhet.
Mbaron kur lodhjen e quan fat.
Fjalia “kështu është” është një nga burgjet më të mëdha të një populli.
Kështu është kur i forti ecën përpara dhe i drejti pret.
Kështu është kur puna varet nga bindja. Kështu është kur ekrani hapet për të njëjtët. Kështu është kur drejtësia vonon para të mëdhenjve.
Kështu është kur fushata premton dhe qeverisja harron.
Kështu është kur qytetari e di, por nuk hyn.
Kështu është kur të rinjtë largohen dhe prindërit e quajnë dhimbjen e tyre fat.
Jo.
Nuk është kështu.
Është bërë kështu.
Dhe ajo që është bërë mund të çbëhet.
Këtu fillon ndryshimi i erës.
Jo te zhurma, por te shpërblimi.
Jo te premtimi, por te nderimi.
Jo te zemërimi i një dite, por te vendimi i gjatë që shoqëria të mos ia japë më forcën e saj frikës, parasë së errët, servilizmit, klientelës, cinizmit dhe poshtërimit të njeriut.
Nëse një shoqëri shpërblen forcën pa moral, do të marrë sundim.
Nëse shpërblen pasurinë pa llogari, do të marrë kapje.
Nëse shpërblen dinakërinë mbi karakterin, do të marrë një vend të lodhur nga të mençurit e rremë.
Nëse shpërblen integritetin, fillon të krijojë politikë që ka frikë ta humbasë atë.
Nëse shpërblen shërbimin, pushteti do të detyrohet të shërbejë.
Ndryshimi i erës është më i vështirë se ndryshimi i pushtetit, sepse kërkon të ndryshojë ajo që një vend nderon.
Ajo që një vend duron.
Ajo që një vend quan mençuri.
Ajo që një vend quan realizëm.
Ajo që një vend u mëson fëmijëve pa e shkruar në libra.
Duhet të ndryshojë arsyeja pse dikush ngjitet dhe arsyeja pse dikush mbetet jashtë.
Këtu Rinisja nuk mbetet emër, bëhet provë.
Jo si fjalë që kërkon të zbukurojë një ambicie.
Jo si një tjetër shenjë në tregun e fjalëve politike.
Por si përpjekje për ta kthyer ajrin publik kundër burimeve të vjetra të pushtetit.
Që pushteti të mos marrë më frymë nga frika e njerëzve, por nga dinjiteti i tyre.
Që qytetari të mos jetë ajri që të tjerët përdorin për të fryrë velat e veta, por njeriu që vendos drejtimin e anijes ku ndodhet edhe jeta e tij.
Rinisja, në këtë kuptim, është provë karakteri.
Është pyetja nëse e reja do të jetë vetëm maskë, apo do të pranojë çmimin moral të një politike tjetër.
Nuk mjafton të kërkosh radhën.
Duhet të ndryshosh arsyen pse kërkon pushtet.
Shqiptarizmi, sot, nuk matet nga sa gjatë flasim për rrënjën, por nga sa dinjitoze bëhet jeta që rritet prej saj.
Nuk mjafton të kujtojmë se kemi ardhur nga male, besë, gjuhë të mbijetuar, kuvende, plagë historike, këngë të vjetra dhe qëndresë të gjatë.
Kjo na jep kujtesë, jo automatikisht shtet. Pyetja është nëse shqiptari i sotëm di të ndërtojë një Republikë ku njeriu nuk poshtërohet në zyrë, nuk blihet në fushatë, nuk ikën nga mungesa e shpresës, nuk sheh drejtësinë si teatër, nuk sheh politikën si treg të të fortëve.
Një popull nuk nderohet vetëm duke folur për të parët.
Nderohet kur ndërton një jetë publike ku fëmijët e tij nuk kanë pse të ikin për të jetuar me dinjitet.
Rruga nuk është e shpejtë.
Nuk është mrekulli.
Nuk na e dhuron Brukseli.
Nuk e sjell një kryetar.
Nuk e mban vetëm një parti.
Nuk e prodhon një fushatë, sado e bukur të jetë.
Ndryshimi i erës fillon kur qytetari e kupton se nuk është vetëm viktimë e ajrit politik.
Është edhe pjesëbërës në ajrin që lejon.
Me votën që nuk e shet.
Me heshtjen që nuk e pranon.
Me frikën që nuk e ushqen.
Me nderin e vogël që nuk e merr në këmbim të dinjitetit.
Me fjalën që nuk ia jep gënjeshtrës.
Me durimin që nuk bëhet dorëzim.
Me kërkesën që nuk shuhet sapo mbaron fushata.
Nëse pushteti vjen nga poshtërimi, politika do të poshtërojë.
Nëse pushteti vjen nga frika, politika do të frikësojë.
Nëse pushteti vjen nga blerja, politika do të blejë.
Nëse pushteti vjen nga karakteri, politika do të detyrohet të kërkojë karakter.
Këtu fillon mundësia.
Jo te iluzioni i një fjale të re që shëron një vend të vjetër, as te pritja se një njeri i vetëm do ta mbartë gjithë barrën.
Por te vendimi i ngadaltë, i vështirë, i përsëritur, që qytetari të mos ia japë më frymën e vet erës së vjetër.
Sepse në fund politika ndjek atë që ne, si shoqëri, lejojmë të fryjë.
Era e ndryshimit kalon mbi një vend si premtim.
Ndryshimi i erës fillon kur qytetari nuk ia jep më frymën e vetë frikës, servilizmit, parasë së errët dhe pushtetit që e poshtëron.
Atëherë politika nuk ndjek më erën e vjetër. Ajo detyrohet të marrë frymë në ajrin që një popull më në fund e ka pastruar.
Dhe Republika fillon pikërisht aty, kur pushteti nuk ushqehet më nga dobësia e qytetarit, por nga dinjiteti i tij.