Dy kongresistë amerikanë vizitojnë Preshevën

Dy anëtarë të Kongresit amerikan, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, pritet të vizitojnë Lugina e Preshevës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, përmes një postimi në Facebook.

“Presheva mirëpret delegacionin e Kongresit amerikan”, ka shkruar Sinani, duke e cilësuar vizitën si “një moment historik për Luginën”.

Me iniciativën e kongresistit Self, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratuan në janar të këtij viti një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Kongresistët amerikanë dërgojnë çështjen e Luginës deri te Sekretari Blinken

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Kongresmeni Keith Self së bashku me kongresmenët Ritchie Torres (Nju Jork-15) dhe Mike Lawler (Nju Jork-17), në fillim të këtij muaji kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve që shpreh mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

Rezoluta thekson se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë një bazë bindëse për anëtarësim në NATO. Për më tepër, në një kohë kur forca kundërshtare përpiqen të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancë do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të penguar këto përpjekje dhe për të parandaluar një krizë tjetër të madhe në Ballkan.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe që atëherë është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të NATO-s. Megjithatë, mungesa e njohjes unanime brenda NATO-s mbetet pengesa kryesore për integrimin e saj në aleancë.

Katër vende anëtare të NATO-s — Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja — ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Meqenëse NATO funksionon mbi bazën e konsensusit, kjo mungesë njohjeje përbën një pengesë të rëndësishme për avancimin formal të Kosovës drejt anëtarësimit, përfshirë pjesëmarrjen në mekanizma kyç si “Partneriteti për Paqe” dhe “Plani i Veprimit për Anëtarësim”.

Rezoluta e kongresmenit Self u bën thirrje këtyre katër aleatëve që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët mund ta shfrytëzojnë.

“Kosova ka treguar përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përputhjes strategjike me vendet e NATO-s, por progresi i saj drejt anëtarësimit po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh”, tha kongresmeni Self. “Përfshirja e Kosovës në aleancë është thelbësore për të kundërshtuar ndikimin në rritje të forcave kundërshtare në Evropë. Shtetet e Bashkuara duhet të inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit”.

Një ditë më herët, Self dhe Subramanyam qëndruan në Sarajevë, ku takuan përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Atje diskutuan për “mënyrat për të forcuar partneritetin dypalësh dhe për të mbështetur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

Përmes një postimi në platformën X, Ambasada amerikane në Sarajevë nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.

Në mesazhin e publikuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë me rastin e vizitës së kongresistëve, u theksua po ashtu rëndësia e angazhimit amerikan ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo