Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, i ka drejtuar dy pyetje ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila edhe në seancën e sotme parlamentare të dedikuar për pyetje të deputetëve nuk ishte e pranishme për t’u përgjigjur mbi rritjen e borxhit shtetëror, dinamikën e borxhit publik dhe paralajmërimet për marrëveshje të reja kredie, në kushte kur borxhi tashmë po i afrohet nivelit prej rreth 11 miliardë eurosh.
Grand Kozmetik
Bytyqi potencoi se ka paralajmërime shtesë për huazime të reja dhe obligime të papaguara ndaj ekonomisë, si dhe paralajmëroi se kjo trajektore fiskale, së bashku me një deficit që tashmë e kalon pragun e përcaktuar me ligj dhe arrin rreth 3.5% të PBSH-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto), si dhe realizimi i lartë i deficitit që në muajt e parë të vitit, tregon rreziqe serioze për qëndrueshmërinë e financave publike dhe mungesë të një strategie të qartë për stabilizimin e borxhit.
Në vazhdim teksti integral i pyetjeve të Bytyqit:
”Dua t’ju kujtoj se prania e ministrit të Financave para deputetëve nuk është çështje e vullnetit të mirë personal, por një detyrë themelore demokratike. Ditët e kaluara kemi diskutuar për një hua prej 260 milionë eurosh dhe për Strategjinë Fiskale 2027–2031, dokumente që përcaktojnë të ardhmen fiskale të shtetit, ndërsa opinioni publik mori shpjegime përmes statuseve tuaja në Facebook, në vend të një përgjegjësie të drejtpërdrejtë institucionale këtu, në Kuvend.
Dua të jap edhe një vlerësim vleror-politik, ndaj të cilit, për fat të keq, Qeveria nuk është e ndjeshme. Çdo huazim i vetëm është një obligim i marrë në emër të qytetarëve, një barrë mbi buxhetet e ardhshme dhe një test nëse pushteti e kupton demokracinë si llogaridhënie. Dhe kur Qeveria merr vendime për qindra miliona euro, ndërsa Kuvendin e trajton si stacionin e fundit të vendimeve të marra tashmë, atëherë problemi nuk është vetëm financiar, por edhe demokratik.
E nderuar ministre, pres që sot të marr një përgjigje nga ana juaj, me të cilën qytetarët do të mund të shohin të vërtetën për arkitekturën e borxhit që po ndërton Qeveria. Në atë arkitekturë, partia juaj arriti të integrojë 260 milionë euro të reja. Por ambiciet tuaja për huazime të reja, për fat të keq, nuk përfundojnë këtu.
Nuk e keni thënë këtu në Kuvend, por keni shkruar në Facebook se këtë vit për pagesë është eurobondi prej 700 milionë eurosh, se gjysma e këtij obligimi tashmë është paguar, ndërsa pjesa e mbetur do të tjetërsohet (shlyhet) në qershor të vitit 2026. Pa zbuluar, ose ndoshta po përgatitni një status të ri në Facebook, nëse Qeveria në qershor po përgatit një huazim të ri prej rreth 350 milionë eurosh për pjesën e mbetur të eurobondit dhe në çfarë mënyre planifikon ta sigurojë atë shumë.
Ky huazim i paralajmëruar nga ana juaj duhet të shihet në kontekstin e përgjithshëm të borxhit. Në dhjetor të vitit 2023, borxhi publik ishte rreth 8.5 miliardë euro. Sot, sipas shifrave që diskutuam në Kuvend, borxhi lëviz rreth 10.8 miliardë euro pa huanë e re. Me huanë prej 260 milionë eurosh, ai i afrohet 11.1 miliardë eurove. Nëse kësaj i shtohet edhe episodi i mundshëm i ri i borxhit prej rreth 350 milionë eurosh në qershor, borxhi publik do të lëvizte drejt 11.4 miliardë eurove. Por këtu nuk mbaron. Ka informacione se Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore po negocion për rreth 300 milionë euro të reja, paralelisht përmenden bisedime për edhe një miliard euro huazim me një ‘vend anëtar të NATO-s’, ndërsa obligimet e dospueshme (të arritura) por të papaguara ndaj ekonomisë lëvizin rreth 700 milionë euro. Një pjesë e këtyre obligimeve ndoshta formalisht nuk regjistrohen si borxh publik sipas së njëjtës metodologji, por ekonomikisht ato janë një barrë reale mbi likuiditetin e kompanive, institucioneve dhe qytetarëve.
Prandaj, llogaria që unë vendos para opinionit dhe jush është si vijon: 10.8 miliardë euro borxh publik ekzistues, plus 260 miliona euro hua e re, plus 350 milionë euro të mundshme në qershor, plus 300 milionë euro eventuale përmes NP për Rrugë Shtetërore, plus një miliard euro përmes negociatave me ‘vend anëtar të NATO-s’, plus rreth 700 milionë euro obligime të arritura e të papaguara ndaj ekonomisë. Kjo është një barrë potenciale publike dhe financiare e papaguar prej rreth 13.4 miliardë eurosh.
Pyetja ime është, a e konfirmoni apo e demantoni këtë llogaritje? Cilat nga këto huazime janë në përgatitje e sipër? Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse Maqedonia e Veriut ka hyrë thellë në një spiralë borxhi apo Qeveria më në fund ka një plan që nuk reduktohet në një hua të re për një problem të vjetër.
Pyetja e dytë gjithashtu i drejtohet ministres Dimitrieska-Koçoska dhe ka të bëjë me deficitin, i cili zbulon gjendjen reale të financave publike. Borxhi publik është pasoja, kamatat janë çmimi, por deficiti është simptoma që tregon se Buxheti shpenzon më shpejt sesa grumbullon. E kur ajo simptomë përsëritet muaj pas muaji, atëherë mund të flasim vetëm për një mënyrë të vendosur tashmë të menaxhimit me paratë e qytetarëve.
Do t’ju kujtoj, sepse po harrohet, se Ligji për Buxhetet vendos një rregull fiskal të prerë: deficiti i qeverisë së përgjithshme nuk duhet të kalojë 3% të PBSH-së. Ky rregull është një mekanizëm mbrojtës kundër vetëgjyqësisë politike në shpenzimin e parave publike. Por Buxheti për vitin 2026 tashmë është planifikuar me një deficit prej 3.5% të PBSH-së. Domethënë, që në fillim të këtij viti, Qeveria nuk iu përmbajt këtij rregulli fiskal, ndaj tij u soll dhe po sillet si ndaj një rekomandimi që mund të anashkalohet kur politikisht bëhet i pakëndshëm.
Problemi është edhe më serioz sepse Strategjia Fiskale 2027–2031 nuk e korrigjon atë rrugë, por e shndërron në një kornizë afatmesme dhe e normalizon deficitin si një gjendje të përhershme buxhetore.
Le t’i shikojmë shifrat më të fundit, sepse ato janë përgjigjja më e mirë ndaj bindjeve politike me të cilat shpenzohen paratë e qytetarëve. Sipas Shpërndarësit Fiskal (Numëruesit Fiskal) të Ministrisë së Financave, më 26 maj 2026 të hyrat arrijnë në 138,538 miliardë denarë, gjegjësisht 36.95% të planit, ndërsa shpenzimet arrijnë në 167,136 miliardë denarë, gjegjësisht 40.35% të planit. Shpenzimet kapitale janë 15,285 miliardë denarë, gjegjësisht 38.1% realizim.
Kjo do të thotë se diferenca midis të hyrave dhe shpenzimeve tashmë arrin në 28,598 miliardë denarë. Nëse deficiti i planifikuar vjetor është 39,2 miliardë denarë, atëherë deri më 26 maj janë realizuar rreth 73% e deficitit të planifikuar vjetor. Deri në fund të majit, Buxheti tashmë ka shpenzuar pothuajse tre të katërtat e hapësirës për deficit që ishte planifikuar për gjithë vitin.
Për më tepër, shpenzimet kapitale nuk mund të jenë plotësisht një alibi për këtë deficit. Deri më 26 maj, shpenzimet kapitale janë 15,285 miliardë denarë, ndërsa deficiti është 28,598 miliardë denarë. Kjo do të thotë se deficiti i krijuar tashmë është për rreth 13.3 miliardë denarë më i madh se shpenzimet kapitale të realizuara. Nëse Qeveria pretendon se deficiti është zhvillimor, atëherë duhet të shpjegojë pse vrima fiskale po rritet shumë më shpejt se realizimi kapital i matshëm.
Madje edhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, një njeri i të njëjtës proveniencë ekonomiko-politike si ju, në një intervistë hapi mundësinë që deficiti të shkojë deri në 6%. Kur edhe nga ajo pozitë shfaqet një paralajmërim për deficit më të madh, atëherë Qeveria e ka të vështirë të shesë tregimin se gjendja fiskale është stabile dhe nën kontroll.
Prandaj pyes, a planifikon Qeveria rebalancë të Buxhetit me rritje të deficitit? A do ta tejkaloni deficitin e planifikuar tashmë prej 39,2 miliardë denarë? A është shqyrtuar tashmë në Ministrinë e Financave skenari për deficit deri në 6%?”